Varianti Delta i coronavirusit është mbizotërues në pjesën më të madhe të Evropës, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Varianti shqetësues SARS-COV-2 Delta, po lëviz me shpejtësi në të gjithë Evropën dhe tani është bërë lloji më dominues në pjesën më të madhe të rajonit, bazuar në të dhëna të reja”, lajmëroi OBSH.
“Ai do të vazhdojë të përhapet, duke zhvendosur qarkullimin e varianteve të tjera nëse nuk shfaqet një virus i ri më konkurrues”, u tha më tej nga organizata.
OBSH dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka paralajmëruar se përpjekjet për të parandaluar përhapjen e variantit duhet të forcohen.
OBSH këshilloi që të përshpejtohet procesi i vaksinimit.
“Lajmi i mirë është se të dhënat tregojnë qartë se marrja e një serie të plotë vaksinimi ul ndjeshëm rrezikun e sëmundjes së rëndë dhe vdekjes”, u shpreh Hans Kluge, Drejtor Rajonal për Evropën në OBSH.
Mesatarisht, mbi 68% e infeksioneve COVID-19 në shumicën e vendeve evropiane janë të variantit Delta, i cili u shfaq për herë të parë në Indi.
LEXONI GJITHASHTU:
- BE miraton përdorimin e vaksinës Moderna për fëmijët 12-17 vjeç
- Varianti ‘Delta’ ndër viruset më ngjitëse që njeh shkenca, thonë ekspertët amerikanë të shëndetësisë
- Los Anxheles rikthen maskat, Biden: Vala e re e pandemisë, tek të pavaksinuarit