Gjermania synon ta bëjë të detyrueshme vaksinimin për të gjithë të rriturit, pas rritjes së infektimeve me variantin Omicron. Kancelari Olaf Scholz kërkoi nga ligjvënësit që ky projektligj të votohet në muajin mars.
“Raportohet për 80 mijë të infektuar dhe shifrat do të rriten. Kjo është arsyeja përse duhet të vijojmë më tej dhe unë mbështes idenë që vaksina në Gjermani të bëhet e detyrueshme për të rriturit. Unë e përsëris se vendimi për të mos u vaksinuar nuk është vendim vetjak, por i takon 80 milionë njerëzve në Gjermani”, u shpreh kancelari.
Ligjvënësit nga Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë e kritikuan Scholz-in mbi planet e qeverisë së tij, duke thënë po përçahet shoqëria gjermane dhe ata mbanin në duar pankarta ku lexohej “liri në vend të përcarjes”.
Nga 15 janari, qytetarët që shkojnë në restorante, kafene dhe bare të Gjermanisë do të duhet të paraqesin një test negativ përveç provës së vaksinimit ose shërimit nga COVID-19.
Qeveritë europiane janë të vendosura të ndëshkojnë të pavaksinuarit.
Nga e diela e 16 janarit qytetarët grekë mbi moshën 60 vjeç kanë afatin e fundit për t’u vaksinuar ose rrezikojnë të gjobiten me 100 euro për çdo muaj.
Ndërkohë, qeveria lëshoi një urdhër urgjent duke detyruar disa mjekë privatë të mbështesin shërbimin shëndetësor shtetëror. Që nga 3 janari, në shtetin fqinj janë rikthyer maskat në supermarkete dhe në transportin publik, ndërsa vendet e argëtimit duhet të mbyllen në mesnatë.
Pavarësisht protestave edhe parlamenti në Francë kaloi ligjin që për të hyrë në eventet publike duhet të jesh i vaksinuar ose i shëruar.
Italia po ashtu po tregohet më e ashpër me të pavaksinuarit, pasi u kërkon qytetarëve të pavaksinuar të BE-së të karantinohen për pesë ditë nëse hyjnë në vend, të painjektuarit nuk lejohen as me test negativ në ambientet publike.