Presidenti Tayyip Erdogan ka deklaruar të premten se për Turqinë është e pamundur që të mbështesë planin e Suedisë dhe Finlandës për t’u bërë pjesë e NATO-s duke thënë se vendet skandinave janë “shtëpi e shumë organizatave terroriste”.
Turqia zyrtarisht mbështet zgjerimin që prej kohës kur u bë pjesë e NATO 70 vite më parë dhe kundërshtimi i saj mund të përbëjë problem për Suedinë dhe Finlandën pasi për t’u bërë pjesë e aleancës nevojitet votë unanime.
“Po ndjekim zhvillimet mbi Suedinë dhe Finlandën, por nuk kemi pikëpamje pozitive”, tha Erdogan për gazetarët në Stamboll duke shtuar se ishte një gabim pranimi i Greqisë në NATO.
“Si Turqi, ne nuk do të përsërisim të njëjtat gabime. Për më tepër vendet skandinave janë vendstrehimi për organizata terroriste”, shtoi presidenti turk pa dhënë më shumë detaje raporton ‘Reuters‘.
Erdogan me këtë deklaratë i është referuar pretendimeve të Turqisë se Suedia nuk pranon dorëzimin e personave të kërkuar nga grupi ushtarak kurd PKK dhe ndjekës të Fetulla Gylen.
Finlanda ka bërë të ditur të mërkurën planin për të aplikuar për anëtarësim në NATO dhe një gjë të tillë pritet të bëjë edhe Suedia.
Kjo gjë mund të sjellë zgjerim të aleancës ushtarake që presidenti rus, Vladimir Putin synonte të parandalonte me nisjen e pushtimit të Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Finlanda do të ‘mirëpritet’ duke premtuar proces të shpejtë anëtarësimi, që gjithashtu mbështetet nga Uashingtoni.