Do të duhet të presim raundin e dytë të zgjedhjeve për të mësuar nëse presidenti francez Emanuel Macron do të mund të ruajë mazhorancën qeverisëse.
Zgjedhjet e së dielës treguan se aleanca e krahut të majtë Nupes, udhëhequr nga Jean Luc Melenchon është shumë pranë partisë së Macron; 25.75% e qytetarëve votuan për partinë e presidentit dhe 25.61% për koalicionin e majtë.
“E vërteta është se partia presidenciale u mund në fund të këtij raundi të parë. Për herë të parë në historinë e Republikës së Pestë, një president i sapozgjedhur nuk është në gjendje të mbledhë shumicën në zgjedhjet parlamentare”, thotë Jean-Luc Melenchon, kreu i koalicionit Nupes.
Parashikohet që në raundin e dytë partia e presidentit, Ensemble do të fitojë, por do të sigurojë më pak vende se 5 vite më parë duke rrezikuar shumicën qeverisëse.
Nga 577 vende që ka parlamenti francez, për të siguruar shumicën, duhet të sigurosh 289 ulëse. Sipas sondazheve, në raundin e parë partia e Macron siguron nga 255 në 295 vende ndërsa, e majta 150 deri në 190.
“Ne kemi përpara një javë mobilizimi. Një javë për të bindur. Një javë për të marrë një shumicë të fortë dhe të qartë. Vetëm kjo shumicë e fortë do të na lejojë t’u përgjigjemi nevojave urgjente që rëndojnë në jetën e përditshme të francezëve dhe për të përballuar sfidat e së ardhmes”, shprehet Elisabeth Borne, kryeministre e Francës.
Kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për të mbërritur në raundin e dytë dhe renditet e treta parti.
Le Pen u bëri thirrje njerëzve që të dielën e ardhshme të mos votojnë as Macron dhe as Melenchon në raundin e dytë.
Niveli abstenimit në këto zgjedhjet ishte rekord 52.49%, ndaj synimi i shumë prej kandidatëve do të jetë të mobilizojnë ata që në raundin e parë qëndruan në shtëpi.
LEXONI GJITHASHTU:
- Telefonatë me Zelenskin, Macron ‘i mobilizuar për nevojat e Ukrainës’
- Zelenski ironizon Macronin, por pse?