Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar lidhur me shqetësimin e besimtarëve për moszbatimin e orarit të faljes së Namazit të Bajramit në Sheshin Skënderbej në ditën e Fiter Bajramit.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat KMSH pranon përgjegjësinë për moszbatimin e orarit, që siç thuhet në njoftim ka ndodhur për arsye teknike të komunikimit në Sheshin Skënderbej.
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke marrë përsipër përgjegjësinë për moszbatimin e orarit të faljes së namazit të bajramit në mënyrë konçize sipas lajmërimit të bërë më parë, ndan shqetësimet mëse me vend të besimtarëve. Kjo është një ngjarje që ka ndodhur për herë të parë në organizimin e bajramit, e cila u shkaktua për arsye teknike të komunikimit në Sheshin Skënderbej.
Krahas kësaj shprehim sqarimin e mëposhtëm se si të veprojnë besimtarët në këtë rast.
Në histori ka ndodhur shumë herë që një pjesë e besimtarëve të mos arrijnë faljen e namazit të bajramit. Kjo ka ndodhur edhe në kohën e Profetit (s.a.s), ku Enes b. Malik (r.a) nuk e ka arritur faljen e namazit të bajramit. Profeti (a.s) i ka treguar atij që ta falë namazin në shtëpi individualisht ose kolektivisht së bashku me familjen e tij, pa mbajtur hytbe. Dhe Enes b. Malik (r.a) e ka falur namazin e bajramit së bashku me familjen e tij.
Shumica e juristëve bazuar në këtë transmetim “hasen” të gjendur në veprën el-Musannef i Ibn Ebu Shejbe dhe mendimit që ndajnë Ibn Abbas, Ibn Mes’ud dhe Ali Ibn Ebu Talib (r.a), kanë shprehur se kush nuk ka arritur ta falë namazin e bajramit me bashkësinë e bësimtarëve, mund ta falë atë, në formën tradicionale, individualisht ose së bashku me familjarët.
Çdo besimtar që nuk ka arritur të falë namazin e bajramit ditën e sotme, mund ta kryejë atë ashtu siç ka vepruar Enes b. Malik (r.a), ditën e parë të bajramit ose ditën e dytë në kohën e paradites, duke nisur tek rreth 30 minuta pas lindjes së diellit deri rreth 30 minuta para se të hyjë vakti i drekës.
Duke shprehur ndjesën tonë për rastin në fjalë, kërkojmë mirëkuptimin tuaj të vyer. Ju urojmë edhe një herë Gëzuar Festën e Fitër Bajramit!” thuhet në reagimin e KMSH.
LEXONI GJITHASHTU:
- Qindra besimtarë myslimanë kremtojnë Fitër Bajramin në xhaminë historike të Korçës
- Besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe botë kremtojnë sot Fiter Bajramin
O zot na erdhi arabia te dera !