“Shteti na preu në besë”. Kështu shprehet vëllai i Bilbil Hasanit, i cili u vetëvra të premten në burgun 313 në Tiranë.
Raimond Hasani tregon se në institucione me masa të larta sigurie nuk mund të ndodhin ngjarje të tilla dhe për këtë do kërkojë verifikim të imët të procedurave te ndjekura nga policia, prokuroria, gjykata dhe burgu.
“Kërkojmë zbardhjen e kësaj ngjarjeje që rezultoi me humbjen e vëllait tim, që la katër fëmijë pa baba. Do të kërkonim nga arrestimi i tij, e deri në momentet e fundit të jetës, se si është proceduar me vëllain tim. Sepse ishte në dorë të drejtësisë. Na preu në besë shteti”, thotë vëllai i tij.
Sipas Raimondit i vëllai vuante nga problem mendore dhe dokumentacioni nuk është marrë parasysh nga prokuroria dhe gjykata.
“Vëllai im ka që në vitin 2002 që kurohet. I ka të gjitha dokumentet përkatëse në lidhje me shëndetin mendor”, tregon vëllai.
Ai tregon edhe mënyrën se si e morën vesh ngjarjen pasi institucioni nuk i kishte lajmeruar.
“E mësuam nëpërmjet nuses së vëllait. Ajo ka shkuar për takim te burgu 313, por i kanë thënë që nuk jeton më dhe që ka humbur jetën gjatë natës’, Raimond Hasani.
Bilbil Hasani u arrestua më 11 dhejtor të vitit të kaluar pasi, sipas policisë, vodhi portofolin e një qytetari në një autobus urban në Tiranë.
Ai u ndalua në flagrancë ndërsa në gjykatën e Tiranës kishte filluar procesi gjyqësor në ngarkim të tij.