Familjarët e viktimave të avionit të goditur me raketë të kompanisë ajrore “Malaysia Airlines” protestuan përballë ambasadës ruse në Hagë të dielën, një ditë përpara të nisë gjyqi për vrasjen e 298 pasagjerëve dhe stafit të ekuipazhit.
Familjarë dhe miq të viktimave vendosën karrige të bardha në lëndinën përballë ambasadës për të simbolizuar viktimat dhe për t’i bërë thirrje Rusisë që të bashkëpunojë me hetimin.
MH17 do të fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur kur u godit nga një raketë ruse në pjesën lindore të Ukrainës, sulm prej të cilit nuk do të kishte asnjë të mbijetuar.
Mbetjet e Boeing 777 ranë në fushën që rrethon fshatin Hrabove të Ukrainës, një territor i kapur nga grupet pro-separatiste ruse që po luftojnë kundër forcave qeveritare ukrainase.
Vitin e shkuar janë lëshuar urdhër arreste për tre rusë dhe një ukrainas, nga një ekip hetimi holandez të cilët shpenzuan 3 vite duke mbledhur prova.
Sergey Dubinsky, Oleg Pulatov, Igor Girkin, dhe ukrainasi Leonid Kharchenko mbanin poste të larta në milicinë pro ruse në Ukrainën lindore. Ekipi i hetuesve tha se “ata nuk kishin tërhequr këmbëzën, por se kishin rënë në ujdi që të kryenin sulmin”.
Të pandehurit nuk janë kapur ende dhe nuk pritet që të dorëzohen për seancat dëgjimore të cilat po mbahen në gjykatën me nivel të lartë sigurie, pranë aeroportit të Amsterdamit, ku do i nënshtrohen ligjeve holandeze.
Rusia i ka mohuar vazhdimisht përfshirjen apo mbështetjen financiare e ushtarake ndaj rebelëve pro-rusë në Ukrainë.