Mbyllja e rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh ka lënë papunë 870 punonjës në qytet. Euronews Albania sjell historinë e familjes Muçaj, familje e cila ndodhet në kushte të vështira ekonomike pasi ka 2 vite pa marre pagën.
Alban Muçaj është një nga punonjësit e rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh, i cili në ditën e 6-të vendosi të largohej nga greva e urisë për shkak se kishte sëmurë fëmijët.
“Për hir të fëmijëve, se kisha vendosur që mos të dilja nga greva derisa të më plotësoheshin kushtet ekonomike”, është shprehur Alban Muçaj.
Albani ashtu si nëntë kolegët e tij vendosi të merrte pjesë në grevë pasi ka disa rroga të prapambetura nga puna që ka kryer në rafineri përgjatë vitit 2015-2017.
“Në grevë për bukën e fëmijëve të mi, është 2020 është çmenduri, shkojnë afërisht 10 milionë lekë”, shton ai.
Albani, mekanik në rafineri na tregon se mbyllja e uzinës po i bën të qëndrojnë në kushte mbijetese.
Që prej muajit shtator të vitit të kaluar, 870 punonjës të kësaj rafinerie mbetën të pa punë si pasojë e mbylljes së saj.
Prej më shumë se 20 ditësh ata protestojnë ndërkohë që greva e urisë vazhdon.
“I bëjmë thirrje që të shikojnë problemin se është vërtet serioz. Ne nuk kemi asgjë tjetër, vetëm me uzinën ushqehemi,” deklaroi për Euronews Albania një tjetër grevist.
Duke komentuar lidhur me bashkëpunimin e kompanive të huaja në fushën e përpunimit të naftës, një nga grevistët i konsideroi ato “njëra më keq se tjetra”.
“Do ta vazhdojmë grevën derisa të arrihet e drejta jonë,” përfundoi një nga grevistët.
Situata e krijuar në qytet ka sjellë vështirësi ekonomike, të cilat janë të dukshme edhe në dyqane. Tregtarët tregojnë lirshëm për mediat listat e borxheve.
“Kemi nga 2015 deri tani në 2020 dhe lista ka arritur në maksimum, i japim borxhe se na vjen keq se janë me fëmijë apo të sëmurë,” u shpreh një nga pronarët e biznesit të ushqimeve.