Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i ftuar në studion e Ilva Now, në Euronews Albania deklaroi se ai është pro sistemit me lista të hapura, ndërsa shtoi se Partia Republikane ka pasur në çdo kohë votat e veta dhe nuk ka marrë asnjë mandat nga Partia Demokratike. I pyetur lidhur me funksionin aktual të Partisë Republikane, Mediu tha se PR ka ekzistuar që nga fillimi dhe ka struktura në të gjithë vendin.
“Partia Republikane ka ekzistuar që nga fillimi dhe ka struktura në të gjithë vendin. Kam fituar edhe vetëm, edhe si PR, por jemi brenda një funksioni opozitar të përbashkët dhe duhet të ketë një plan veprimi opozitar. Nuk kemi marrë vota të PD-së ne, pavarësisht marrëveshjeve. Në 2013, PR ka marrë më shumë vota se mandate dhe ka kontribuar në fitoren e PD, kemi edhe rastin e zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2005.
Mediu tha se PR përkrah një sistem zgjedhor me lista të hapura pasi sot sipas tij nuk kemi parlament përfaqësues të qytetarëve
“Qëllimi elektoral është i përbashkët. Derisa kërkoj një sistem zgjedhor të hapur, me garë, e vendos veten dhe PR në garë, kjo është një sfidë. Mendoj se kemi një problem shumë-shumë të madh kushtetues; nuk kemi parlament përfaqësues të qytetarëve. Pjesa më e madhe përfaqësojnë interesat e kryetarëve të partive, kuvendi drejtohet nga qeveria”, tha Mediu.
Kryetari i PR deklaroi se që nga fillimi ishte kundër vendimit për djegien e mandateve nga opozita. Sipas Mediut, ky veprimi i ndërmarrë me qëllim ndërgjegjësimin e opinionit vendas dhe atij ndërkombëtar lidhur me atë që po ndodhte në vend, nuk arriti të përmbushë objektivin, duke qenë se parlamenti u mbush me njerëz që nuk e përfaqësojnë.
“Unë kam qenë kundër djegies së mandateve, për mua opozita nuk vepron në mënyrë procdeurale por politike. Zoti Berisha në mbledhjen e këshillit drejtues ka thënë se kjo mund të na çojë në fitore shpejt, por mund të na çojë edhe në një krizë të gjatë. Basha ka gjykimin e tij, unë timin. Unë mendoj se është më mirë t’i diskutojmë gjërat”, – tha z. Mediu.
I pyetur lidhur me ngjarjen më të nxehtë ndërkombëtare të momentit, por që në një farë mënyrë prek edhe Shqipërinë, konfliktin Iran-SHBA, Mediu u shpreh se kërcënimi ndaj Shqipërisë nuk duhet anashkaluar duke qenë se vetëm një vit më parë Shqipëria për pak u bë objekt i një sulmi terrorist iranian edhe për faktin se në vendin tonë strehohet opozita iraniane kundërshtare e regjimit.
Mediu sugjeroi që Këshilli i Sigurisë Kombëtare të mblidhet patjetër për këtë rast, por edhe raste të tjera që mund të rrezikojnë vendin. Sipas Mediut, në rastin e Iranit nuk përjashtohet mundësia e një sulmi kibernetik që do të prekte infrastrukturën kritike në vend siç është energjetika.
“Si vend anëtar i NATO duhet marrë në analizë situata pas deklaratës së liderit të Iranit. Një sulm që mund të bëjë Irani është një sulm kibernetik. E para ka të bëjë me gjithë infrastrukturën kritike të vendit tonë që nga sistemi elektrik. Këtu duhet të kërkohet mbështetje e SHBA dhe NATO për të ndërtuar sisteme sigurie që na vlen më shumë se raporti thjesht politik”, tha Mediu.