Kompania britanike e sigurimeve AON, me 55 mijë punonjës dhe zyra në 120 shtete të botës, e klasifikon tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri si më i dëmshmi në nivel botëror për vitin 2019. Sipas saj, përveç humbjes së jetëve, tërmeti shkaktoi një dëm total financiar prej 1.1 miliardë dollarë.
Më herët Kryeministri Rama pati deklaruar se dëmi nga tërmeti është në nivel të 1 miliard eurove.
Një shifër të tillë e kanë përmendur publikisht edhe ekspertë të njohur inxhinierë dhe të operatorëve turistikë të vendit.
Fatura zyrtare po ndjek metodologjinë e miratuar nga BE, PNUD dhe Banka Botërore, e quajtur Vlerësim i Nevojave pas Katastrofës (PDNA).
Për të zbatuar këtë metodologji kanë ardhur në Shqipëri një ekip ekspertësh nga Banka Botërore dhe nga sistemi i organizatave nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.
Që nga viti 2008 i krijimit te saj, kjo metodologji është përdorur me sukses në dhjetëra raste katastrofash të rënda natyrore në të gjithë botën. Vetëm që nga viti 2017 është përdorur në 55 raste të tilla.
Metodologjia vlerëson dëmet materiale, në sektorët prodhues dhe në atë sociale, propozon masa të zbatueshme për qeverinë, biznesin dhe donatorët, si dhe jep shifra të besueshme nga donatorët. Më e rëndësishmja, PDNA parashikon ndërhyrje afatmesme dhe afatgjata në zonat e dëmtuara nga katastrofa natyrore, për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të zonës. Fatura e konfirmuar nga ekspertet e PDNA-së do të bëhet publike më 4 shkurt 2020.