Ditën e takimit të ministrave të Agrikulturës të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel, fermerë nga shtete të ndryshme përmbytën kryeqytetin belg, duke krijuar kaos nëpër rrugë, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet.
Barriera betoni dhe me tela me gjemba u ngritën përreth selisë së Komisionit Evropian, për të treguar ndasitë mes tyre dhe vendimmarrësve.
“Ne duam që ata të tregohen të arsyeshëm me ne, të vijnë të punojnë me ne në terren për një ditë, apo të merren me kuajt dhe kafshët për të parë se nuk është aq e lehtë për shkak të rregullave të tyre. Prandaj ne duam të flasim me ta”,-tha protestuesja.
Fermerët e ndjejnë se punimi i tokës po vdes me ngadalë. Protesta ishte më e fundit e një seri manifestimesh në të gjithë Evropën. Më herët gjatë muajit, një tubim i ngjashëm u kthye i dhunshëm kur fermerët i vunë zjarrin pirgjeve të kashtës dhe gjuajtën me vezë policinë pranë vendit ku po mbahej samiti i BE-së.