Festat e fundvitit kanë sjellë fluks më të madh njerëzish në vijat kufitare krahasuar me një vit më pare, sipas policisë së shtetit.
Uniformat blu njoftojnë se përgjatë kësaj jave, nëpërmjet pikave të kalimit të kontrollit kufitar kanë hyrë në Shqipëri mbi 250 mijë shtetas dhe 70 mijë automjete.
Policia kufitare ka shtuar sportelet ne Kapshticë dhe Kakavijë për të eliminuar radhët e gjata dhe vijon kontrollet e lehtësuara.
“Deri në këto momente nuk ka pasur radhë të gjata në pikën e kalimit Kakavijë. Kjo ka ardhur edhe falë bashkëpunimit me policinë Greke”, thonë autoritetet.
Për të parandaluar tentativat për trafikim të lëndëve narkotike, policia ka shtuar kontrollet edhe ne vijën e dytë në dalje.
Në muajin nëntor, transporti ajror i pasagjerëve zuri 80,2 % të transportit gjithsej, duke e bërë avionin si mjetin e preferuar të shqiptarëve për transport.
Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në njëmbëdhjete mujorin 2019 është 3.066.488 pasagjerë, duke u rritur me 12,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, vlerëson Instituti i Statistikave.
Ndërkohë numri i pasagjerëve që udhëtuan me linjë detare në nëntor 2019 është 57.335 pasagjerë.
Krahasuar me nëntorin 2018, ky tregues është rritur 21,8 %.
Në njëmbëdhjetë mujorin 2019, kanë udhëtuar me linjë detare 1.495.495 pasagjerë, duke u rritur me 3,5 %, krahasuar me një vit më parë.