Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli njëkohësisht relator i projektligjit për sportin, në studion e Ilva Now në Euronews Albania u tregua kritik me qeverinë lidhur me financimin e bërë në drejtim të sportit. Teksa e cilësoi si detyrë të qeverisë me kushtetutë, për të subvencionuar sportin, deputeti socialist bëri thirrje që t’i jepet prioritet sportit dhe më konkretisht sporteve tradicionale aty ku sipas z. Ylli Shqipëria ka kapacitetet e duhura për të marrë benifitet në të ardhmen.
“Qeveria e ka si detyrim, e ka në Kushtetutë që sportin duhet ta subvencionojë. Ministria duhet t’i bëjë disa lëshime sportit në këtë projektligj që ne kemi sjellë. Sporti duhet parë nga qeveria si prioritar për t’i dhënë një dorë që të eci dhe të zhvillohet, i kemi kapacitetet dhe burimet. Kampionë bote dhe Evrope kemi nxjerrë, të përqendrohemi tek ato të traditës ku me pak para, ke benifite për të marrë. Sporte tradicionale janë mundja, peshëngritja, gjimnastika, atletika, basketbolli”, – tha z. Ylli.
Teksa e cilësoi ligjin e sportit si shumë të mirë, deputeti socialist vuri në dukje faktin se ky ligj nuk zbatohet siç duhet.
“Në ligj e kemi vënë që duhen klasa sportive, jo thjesht me mësuesin e fizkulturës, por me buxhet të veçantë, ku një trajner do të vijë 2 orë pasdite dhe do të krijojë klasat e suksesshme sportive që kanë qenë para viteve ‘90. Në ligjin që bëmë llogaritëm që për 9 vjet do futeshin 1200 mësues të edukimit fizik. Sot nuk funksionon, mësuesit që mbarojnë akademinë e sportit kërkojnë punë si kamerier”, – tha z.Ylli.
Deputeti i Partisë Socialiste nuk hezitoi të shprehte opozitarizëm të hapur lidhur me çështjen e sportit kur deklaroi se ne nuk e kemi shtetin të përgjegjshëm që të mendojë për sportin.
“Shqipëria asnjëherë nuk e ka pasur të vështirë të nxjerrë kampionë. Greqia në ‘92 na mori Piro Dhimën, Luan Shabanin dhe nja 6 sportistë të ekipit kombëtar që ishin përgatitur me trajnerët tanë kombëtarë. Këta sportistë e panë se shteti s’kishte ndërmend më në ‘91 të bënte sport ndaj ikën.
Ne nuk e kemi shtetin të përgjegjshëm që të mendojë për sportin. E quajnë si një luks, vetëm kur vjen ndonjë ndeshje ndërkombëtare kujtohen që ka edhe sport.
Në sport duhet investuar sot që të marrësh benefitet për 10 dhe 20 vjet. Ne i kemi aq kampionë. Ne themi do ta masivizojmë sportin që rinia të merret me sport se është bërë një rini obeze që merret vetëm me alkool, duhan dhe drogë”, – tha z. Ylli.