Edhe pse janë luajtur 16 javë nga Kategoria Superiore, javë pas jave po dëshmohet se diferencat mes skuadrave janë shumë të vogla. Duket mjaft e vështirë për të bërë parashikime, kur nga vendi i parë në vendin e tetë diferenca është vetëm 5 pikë.
Kukësi po kalon një moment mjaft të mirë dhe ka krijuar diferencë nga ndjekësit, edhe pse nuk luajnë në shtëpinë e tyre. Skuadra e Shpëtim Duros mund të thuhet se i luan të gjitha ndeshjet në transfertë, pasi ka ndryshuar disa herë shtëpi këtë sezon.
Vllaznia është skuadra që ka marrë më shumë pikë si udhëtuese. Skuadra e Mirsad Jonuz ka grumbulluar plot 15 pikë jashtë fushe, ndërsa në ‘Loro Boriçi” vetëm 8 pikë.
Sa i përket ndeshjeve në shtëpi, Teuta duket se e ka kështjellë “Niko Dovanën” ku ka grumbulluar 20 nga 25 pikët që ka në total. Asnjë skuadër në këtë edicion nuk ka arritur që të marrë maksimumin e pikëve në Durrës.
Për t’u veçuar Flamurtari që ende nuk ka marrë asnjë fitore për këtë sezon. Jo vetëm kaq, por kuqezinjtë nuk kanë marrë asnjë pikë jashtë fushe, duke koleksionuar vetëm humbje.