Jovan Viqentijeviç, i dyshuari për sulmin e 29 nëntorit në Ibër-Lepenc, ka dalë këtë të martë përpara Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Bëhet me dije se gjykata i ka caktuar atij masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Gjatë kontrollit, autoritetet e Kosovës kanë gjetur në shtëpinë e tij granata dore, armë e municione.
Para se të merrej vendimi, avokati i tij Nebojsha Vllajiç tha “nuk ka arsye për masë të paraburgimit”.
“Ne besojmë se nuk ka asnjë arsye për të caktuar paraburgim, përveç kësaj, nuk ka prova për krimin për të cilin akuzohet. Ai është përgjegjës për sulmin ndaj rendit kushtetues, shkatërrimin e objekteve infrastrukturore të lidhura me terrorizmin dhe vepër penale mbajtje të paautorizuar të armëve dhe municioneve. I pandehuri ka shpjeguar lëvizjen e tij gjatë asaj kohe kritike që nuk ka të bëjë me vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe besoj se gjykata do ta ketë parasysh këtë, presim vendimin e gjykatës në lidhje me paraburgimin për një ose dy orët në vijim…Ekzistenca e municionit është e padiskutueshme, por gjithçka që është gjetur nuk ka lidhje me shpërthimin, nuk janë gjetur eksplozivë, ndezës, detonatorë, kështu që ajo që është gjetur absolutisht nuk e vërteton atë që pretendon prokurori publik”, shtoi ai.
Lidhur me sulmin në veri, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë të dyshuar. Ditë më parë një tjetër i dyshuar është dërguar në paraburgim.
Ndërkaq tetë të tjerë janë liruar.
Pas rastit të sulmit në Ibër-Lepenc, dhe disa sulmeve të tjera radhazi në veri, autoritet kanë kryer bastisje në disa lokacione ku kanë gjetur arsenal armësh e dëshmi të tjera.
Mbrëmjen e 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës.
Shpërthimi ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorporata Energjetike e Kosovës.
LEXONI GJITHASHTU:
- Deputeti i PDK zbulon datën: Kurti po planifikon një “Banjska 2”
- Shpërthim i fuqishëm në Kosovë, dëmtohet kanali i ujit Ibër-Lepenc në Zubin Potok