Prezenca e oficerëve të Frontex në kufirin me Greqinë është një garanci më shumë për Shqipërinë në rast të një krize emigrantësh sirianë. Megjithatë, sipas zv.ministres së Brendshme, Rovena Voda në rast krize është parashikuar të merren masat e nevojshme.
“Deri tani nuk kemi shqetësime, sigurisht që kemi flukse, por në nivele normale. Përveç bashkëpunimit me Frontex, ne kemi bashkëpunim shumë të mirë edhe me policinë kufitare greke me të cilët patrullojmë së bashku herë pas here. Ministria e Brendshme, në rast të një krize ka edhe një plan kontigjence, i cili është konsultuar edhe me organizatat ndërkombëtare”, – tha znj. Voda.
Sipas burimeve nga policia e shtetit, gjatë vitin 2019 në Shqipëri hynë ilegalisht 11.890 emigrantë të huaj, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme. Trendi i kësaj shifre duket edhe në 2 muajt e parë të 2020-s, ku grupe klandestinësh janë aksidentuar ose kanë rrezikuar të mbyten duke përdorur si transit territorin shqiptar. Destinacioni i tyre janë vendet e Bashkimit Evropian dhe kjo faktohet edhe nga ata shtetas që janë strehuar në qendrën e azilkërkuesve në Babrru.
“Emigrantët nga Lindja e Mesme shpesh herë bien edhe pre e mashtruesve, të cilët pasi u marrin paratë i lënë në mes të rrugës. Pasi futen ilegalisht nga kufiri gjelbër me Greqinë, udhëtimi i tyre vijon në Shkodër, ku po ashtu kalojnë ilegalisht drejt Malit të Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian.