Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka mbledhur sot Komisionin Shtetëror të Rindërtimit pas tërmetit të vitit të shkuar, prej të cilit 51 qytetarë ndërruan jetë dhe qindra të tjerë humbën shtëpitë e tyre. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim dhe ai i Bashkimit Europian, Luigi Soreca. Shefi i qeverisë shqiptare i kërkoi Bashkimit Europian që të shpejtojë procedurat për dhënien e fondve të mbledhura nga Konferenca e Donatorëve që u mbajt me 17 shkurt në Bruksel.
“Jam i sigurt që do të bëjmë realitet duke presupozuar që BE-ja të jetë me i shpejtë se zakonisht në kuptimin e nevojës për të dhënë rezultate më shpejt, sepse është një program ku koha është thelbësore. Njerëzit nuk mund të presin gjatë. Procedurat natyrisht duhet të respektohen absolutisht, por ndonjëherë janë kaq të gjata që natyrisht mund të përballohen kur bëhet fjalë për projekte të tjera, por jo kur bëhet fjalë për shtëpitë dhe shkollat. Pra, synimi është që t’i kthejmë nën çati ato persona që kanë humbur shtëpitë individuale dhe që të festojnë vitin e ri në shtëpitë e tyre. Po kështu të fillojmë hap pas hapi me ato zona më të ndërlikuar me ndërtesa banimi me shumë apartamente në komunitetet urbane.”, theksoi mes tjerash Rama.
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim tha se vendi i saj do të monitorojë situatën në Shqipëri, ndërsa përsëriti faktin se donacionet e siguruara duhet të shpenzohen në mënyrë të drejtë dhe në interes të qytetarëve.
“E mirëpritem mundësinë që të dëgjojmë planet tuaja se si do të bëni ndërtimin pas tragjedisë, pas tërmetit të nëntorit të vitit të shkuar. Në jemi shumë të lumtur, SHBA janë shumë të lumtura që kanë qenë pjesë e Konferencës së Donatorëve të organizuar në BE. Rezultat e jashtëzakonshme të kësaj konferencë përbëjnë një shprehje të solidariteti me popullin shqiptar, por përbëjnë edhe një investim simbolik dhe real për Shqipërinë. Është kënaqësi për ne që shikojmë që po organizoni brenda vendit për të realizuar atë që ju thatë, që duhet të jetë një proces transparent, llogaridhënës dhe të jetë rezultativ. Për ne si SHBA është hera e parë që në ju kemi qëndruar në një moment të vështirë, por nuk do të jetë në fakt rasti i fundit. Do të vazhdojmë të jemi përkrah jush dhe do të ofrojmë ndihmën teknike, që mund t’ju nevojitet për t’u siguruar që donacionet nga vende e ndryshme, nga e gjithë bota, përfshirë dhe donacionet tona, do të shpenzohen në mënyrë të duhur në përfitim të qytetarëve shqiptarë”, tha ambasadorja e SHBA.
Shefi i qeverisë shqiptare garantoi vendet që kanë kontribuuar për rindërtimin në Shqipëri se paratë e tyre do të shpenzohen sipas nevojave, duke pohuar se nuk do të tolerohet asnjë abuzim i mundshëm. Për këtë, Rama kërkoi një monitorim nga vetë Bashkimi Europian.
“Nuk dua që ju thjesht të siguroheni që paratë e tatimpaguesve tuaj apo e kontruibuesve tuaj të shpenzohen në mënyrën e duhur, por dua po kështu përmes këtij komitetit të garantoj që edhe paratë e tatimpaguesve shqiptarë të shpenzohen në mënyrën e duhur. Për këtë arsye do të përgëzojë qeverinë e SHBA që ka pranuar të marrë parasysh propozimin që unë kam bërë për të ngritur akademinë e transparencës. Do të doja të shihja edhe BE-në të bënte të njëjtën gjë për të shtuar ekspertizë, për të shtuar sy dhe monitorim të procesit të ekzekutimit të shpenzimeve, qysh nga procesi i tenderimit deri tek procesi i mbikëqyrjes dhe marrjes së produktit”, shtoi Rama