257 ushtarë të rinj u betuan për t’iu bashkuar Ushtrisë së Kosovës. Ushtarët e sapo betuar thanë se janë të emocionuar dhe krenarë.
“Sot kam shumë emocione është një ditë e veçantë jo vetëm për mua por edhe për 256 rekrutët e tjerë që morën pjesë në ditën e diplomimit për shkak se do të jetë një jetë më ndryshe dhe do të vazhdojë një eksperiencë e re”, tha një prej tyre.
Atë bënë thirrje edhe për pjesëmarrje më të madhe të grave në ushtri.
Në ceremoninë e betimit dhe certifikimit të 257 rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës morën pjesë edhe krerë të lartë institucionalë.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani iu drejtua ushtarëve të rinj, duke u thënë se me ta rritet siguria dhe garancia për një të tashme e të ardhme më të mirë për Kosovën.
“Me ju sot nuk po e rrisim numrin e efektivëve të ushtrisë sonë, por edhe sigurinë e garancinë për një të tashme dhe të ardhme më të mirë. Sytë tanë sot janë nga ju, shpresa jonë është e varur te ju. Synimi ynë është paqja dhe nuk duhet të lejojmë që ajo të na cënohet nga askush”, tha Osmani.
Shtetësinë e Kosovës nuk e njohin katër vende anëtare të NATO-s: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja dhe ky fakt mund të bëhet pengesë edhe për përfshirjen formale të Kosovës në Partneritetin për Paqe.
NATO-ja nuk e ka mbështetur zyrtarisht as transformimin e Forcës të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, ndonëse ky hap është mbështetur nga shumë shtete anëtare.
Diplomatët në Bruksel i kanë rikujtuar Kosovës se realizimi i aspiratave të saj drejt NATO-s varet nga vullneti kolektiv i të gjitha 30 vendeve anëtare të aleancës.
LEXONI GJITHASHTU
- Vuçiç: Jemi në presion të madh nga Perëndimi për çështjen e Kosovës
- Kosova shton sanksionet kundër Rusisë