English

Forcimi i masave për azilkërkuesit shton rastet e refuzimeve në pikat kufitare

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Një muaj më parë ministri i Brendshëm z. Sandër Lleshaj urdhëroi të forcohen kontrollet për shtetasit shqiptarë që kalojnë kufirin shtetëror me qëllim parandalimin e rasteve për azilkërkim. Urdhri mori fuqi ligjore në fillim të janarit dhe statistikat flasin për një rritje të numrit të refuzimeve.

- Advertisement -

Drejtori i Kufirit dhe Migracionit, z. Eduart Merkaj shprehet se që nga momenti i hyrjes së ligjit në fuqi me 8 janar e deri sot, janë refuzuar në dalje mbi 900 raste.

“ Nga 8 janari që ka hyrë në fuqi zbatimi i urdhrit janë refuzuar në dalje 970 të rritur dhe 22 të mitur. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një rritje të refuzimeve me 167 të rritur më shumë dhe 14 të mitur ”- tha z. Merkaj.

Drejtuesi i lartë i Policisë thotë për Euronews Albania se nga analizat ka rezultuar se shtetasit që kërkojnë azil mundohen të gjejnë rrugë të reja për t’iu shmangur kontrolleve.

“Nga informacionet  dhe analizat që shkëmbejmë me partnerët na rezulton se ka edhe shtetas që fillimisht udhëtojnë në vendet e rajonit ose fqinje dhe më pas nga aeroportet e këtyre vendeve udhëtojnë drejt zonës Shengen”, shtoi drejtori i Kufirit.

Urdhri i ri kërkon një sërë dokumentesh të detajuara që justifikojnë  qëllimin e udhëtimit, kohën dhe mënyrën e qëndrimit si dhe mjetet financiare. Ndërkohë shtetasit që janë deportuar duhet të paraqesin një dokument që provon se nuk kanë ndalim hyrje , urdhër ndalimi ose dëbimi në vendet e BE-së.

Në fund drejtori i Kufirit dhe Migracionit iu drejtua me një apel qytetarëve shqiptarë, ndërsa kërkoi prej tyre të respektojnë rregullat e udhëtimit pasi në të kundërt do të përballen me penalizime të forta.

“Është e rëndësishme që t’iu bëjmë me dije qytetarëve se shkelja e rregullave të lëvizjes së lirë në zonën Shengen me urdhrin e ri i penalizon shumë në të ardhmen, ndaj të tregohen të kujdesshëm”- theksoi z. Merkaj.

Qytetarët shqiptarë dhe kërkesat e tyre të shtuar për azil kanë qenë një problem i shtuar për Evropën, ndërsa këtë fenomen e përmendi edhe vetë Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë muajit tetor të vitit 2019, pikërisht në kohën kur Franca vendosi të frenonte procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por, me masat e reja të Ministrisë së Brendshme duket se lëvizjet pa kriter të qytetarëve shqiptarë drejt zonës Shengen do të minimizohen ndjeshëm.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?