Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një tjetër letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, ku mes tjerash shprehet se është në pritje të mandatarit të qeverisë së re të Kosovës.
“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre.
Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për kryeministër”, i ka shkruar Thaçi, duke theksuar se ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, e cila vëren “se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”.
Kreu i shtetit të Kosovës, Hashmi Thaçi i ka kërkuar Albin Kurtit, që të njoftojë nëse Lëvizja Vetëvendosje do të dorëzojë emrin e mandatarit për kryeministër apo do të zgjedhë ta refuzojë atë.
Presidenti Hashim Thaçi insiston që ky vendim të merret sa më shpejt, ndërsa shton se qytetarët duhet ta kenë funksionale qeverinë e re.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa në kuadër të formimit të qeverisë së re kanë pasur një sërë takimesh mes tyre, por deri tani, nuk kanë arritur asgjë konkrete.