English

Ekspertët e ekonomisë diskutojnë sot në Forumin Ekonomik të Tiranës

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Sot në kryeqytet po zhvillohet Forumi Ekonomik i Tiranës, ku do të diskutohet për çështje të rëndësishme të ekonomisë jo vetëm në Shqipëri. 

- Advertisement -

Të pranishëm në këtë forum janë liderë të kompanive më të mëdha të rajonit, si dhe përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, por edhe të bankave në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ekspertët po shkëmbejnë eksperiencat e tyre me synimin për të identifikuar dhe vlerësuar sfidat kyçe të rritjes ekonomike, përballë aspiratave të rajonit për integrim në Bashkimin Europian.

Forumi, ku po marrin pjesë gjithashtu zyrtarë të qeverisë dhe përfaqësues të trupave diplomatike në Shqipëri synon të mbështesë adoptimin e sektorit privat me praktikat inovative sociale, dhe të identifikojë masat që duhen merren për një ekonomi më konkurruese në Shqipëri dhe Europën Juglindore.

Forumi është i organizuar në disa panele, secila me fokus të veçantë diskutimi. Stabiliteti fiskal dhe ekonomik i Shqipërisë ishte gjithashtu në qendër të bisedave. Energjia e gjelbër qe gjithashtu një pikë debati, cilësuar si pikë strategjike për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në hapjen e këtij Forumi se duhet një bashkëpunim rajonal për të forcuar ekonominë e vendeve të Ballkanit.

Gazetari i Euronews Albania, Renaldo Salianji raportoi live nga forumi se kryeministri premtoi të kalojë online shërbimet për bizneset për të shmangur pritjen.

“Rreth 90 për qind e dokumenteve të nevojshme për biznesin do të merren online brenda vitit 2020,” deklaroi z. Rama.

Ai shtoi se qeveria që ai drejton synon të shmangë ndërhyrjet e paligjshme në ekonomi, apo financimin e paligjshëm dhe për këtë arsye kompanive të mëdha do t’u kërkohet të vërtetojnë ligjshmërinë e të ardhurave të tyre.

“Duam të dërgojmë një mesazh të fortë tek të dy palët, si biznesin e ligjshëm dhe atë kriminal, të paligjshëm. Tek biznesi i ligjshëm duam të çojmë mesazhin që kemi shumë për të bërë, për të përmirësuar mjedisin e të bërit biznes dhe duam që ky biznes i ligjshëm t’i besojë fort këtij vendi e të besojë që çdo ditë do të jetë një ditë më e mirë se e djeshmja për të bërë biznes në Shqipëri dhe biznesit të paligjshëm duam t’i themi thjesht që ky nuk është vendi i tyre dhe do duhet të kalojnë më shumë e më shumë vështirësi për të mbijetuar në këtë vend,” deklaroi kryeministri.

Pjesa e dytë e Forumit Ekonomik të Tiranës i është dedikuar infrastrukturës dhe rëndësisë së saj në zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe thellimit në ide konkrete për energjinë e gjelbër dhe kapacitetet e rajonit.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?