Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për të mbajtur “sa më parë të jetë e mundur” një samit mbi Sirinë së bashku me Gjermaninë, Rusinë dhe Turqinë në mënyrë që të parandalohet një katastrofë humanitare në verilindje të vendit.
“Duhet të mbajmë një takim sa më parë të jetë e mundur me Gjermaninë, Rusinë dhe Turqinë në të ashtuquajturin formatin e Stambollit”, tha Macron pas një samiti të BE-së në Bruksel.
Fjalët e udhëheqësit francez vijnë pas paralajmërimit të OKB-së të premten për luftimet në Idlib, pika e fundit e kontrolluar nga rebelët, mund të përfundojnë në një gjakderdhje të tmerrshme.
[twitter_feed=https://twitter.com/antonioguterres/status/1230925488035680256]
Forcat siriane, të mbështetura nga Rusia, vazhdojnë të avancojnë në rajonin e Idlibit në pjesën veriperëndimore të Sirisë, pavarësisht thirrjeve për ta ndaluar ofensivën,” tha Macron para gazetarëve.
“Kjo rrezikon të shkaktojë një katastrofë humanitare, një përshkallëzim të konfliktit dhe krizë të refugjatëve”, tha ai.
Turqia lajmëroi të enjten se dy prej ushtarëve të tyre ishin vrarë në Sirinë veriperëndimore nga një sulm ajror i regjimit sirian.
“Kemi qenë shumë të qartë me presidentin Erdogan dhe presidentin Putin për sa i përket përgjegjësive të tyre”, shtoi Macron.
Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel diskutuan për mundësitë e mbajtjes së një samiti, gjatë një telefonate me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidentin rus Vladimir Putin të enjten.
“Ende nuk ka një vendim të qartë”
“Nuk ka ende një vendim të qartë përreth kësaj çështje. Nëse katër udhëheqësve do u duket e nevojshme, atëherë nuk i përjashtojmë mundësitë e një takimi të tillë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Presidenca e Turqisë nuk ka komentuar në lidhje me këtë, por presidenti Erdogan bëri thirrje për “veprime të mirëfillta” për të “shmangur një katastrofë humanitare” në provincën e rebelëve në Siri gjatë bisedimeve me Macron dhe Merkel.
Kretët e BE-së kanë bërë thirrje që të ndalej ofensiva në Idlib përmes një deklarate të bërë gjatë samitit të tyre.
“Përshkallëzim i situatës humanitare”
“Kriza që po shpaloset në veriperëndim të Sirisë dhe ndikimi mbi jetët e civilëve po avancon tashmë në zona ku ka përqendrim të madh të popullatës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres të premten.
Shefi i OKB-së tha janë rreth 2.8 milionë persona në Sirinë veriperëndimore që kanë nevojë për ndihma humanitare.
Kjo përfshin dhe afro 900 mijë persona, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, që kanë ikur prej ofensivës së fundit siriane.
Për pothuajse një vit, tha Guterres, ofensivat tokësore siriane me mbështetjen e sulmeve ajrore ruse kanë pasur si shënjestër atë çka nuk duhej të ishte një zonë lufte në Idlib, dhe këtë muaj forcat turke dhe siriane janë përplasur vazhdimisht.
“E gjithë kjo do të thotë së përveç situatës dramatike dhe të përkeqësuar humanitare, jemi përballë një risku të një konfrontimi të mundshëm me pasoja të paparashikueshme”, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm.