Franca do të përpiqet të shkëputet nga rivalët në krye të grupit H të kualifikueseve për Evropianin e vitit 2020, kur të presë kuqezinjtë e Shqipërisë në “Stade de France” të Parisit mbrëmjen e së shtunës.
Pavarësisht paraqitjes zhgënjyese në humbjen 2-0 përballë Turqisë gjatë raundit të kaluar të ndeshjeve në grupe, Franca ka dalë gjithnjë fitimtare e pashqetësuar në sfidat e tjera. Kampionët e botës në fuqi kanë shënuar nga 4 herë në secilën prej ndeshjeve ndaj Moldavisë, Islandës dhe Andorrës.
Shqipëria, nga ana tjetër ka pasur një nisje të mirë të këtyre kualifikueseve, të paktën deri më tani. Sipas renditjes aktuale, kuqezinjtë ndodhen vetëm 3 pikë larg Francës, Turqisë dhe Islandës, të cilat bashkëkryesojnë me nga 9 pikë.
Por, cilat janë detajet që spikasin më shumë përpara ndeshjes që do të zhvillohet të shtunën në orën 20:45 në “Stade de France” të kryeqytetit francez? Sa i përket basteve, “Gjelat” e Francës e nisin favoritë në letër dhe nuk pritet të hasin probleme të mëdha, teksa shihet se koeficientet e barazimit (10.5) apo fitores së Shqipërisë (41) janë aq të larta saqë do të ishte mrekulli të “vidheshin” nga kuqezinjtë tanë.
Shqetësimi kryesor për Didier Deschamps mbeten mungesat e disa prej emrave të mëdhenj, si Pogba apo Mbappe, por tifozët parizienë presin të shohin ekipin e tyre të luajë me fantazi në sulm përballë një rivali modest.
Humbja ndaj Turqisë nuk pritet të ketë efekt te shpresat e Francës për kualifikim, por paraqitja sigurisht që la një shije të hidhur për trajnerin e “gjelave”. Ky i fundit ka grumbulluar për herë të parë sulmuesin e Lille, Jonathan Ikone, sikurse një mundësi për të treguar vlerat e tij po i jepet edhe mesfushorit të ri të Arsenalit, Matteo Guendouzi.
Shqipëria nuk zotëron klasin dhe cilësinë e francezëve, por në ndeshjet e zhvilluara deri më tani në grup, 4 të tilla, kuqezinjtë kanë treguar se nuk mund të konsiderohen “sa për të kaluar radhën”. Trajneri italian Edoardo Reja është shfaqur i gëzuar pas fitoreve ndaj Moldavisë dhe Andorrës, dy rivalë inferiorë, por kur kuqezinjtë janë vënë përballë skuadrave pretendente për kualifikim, pas Francës, si Islanda apo Turqia, gjërat nuk kanë shkuar siç duhej.
Formacioni i mundshëm i formacionit kuqezi: Strakosha; Lenjani, Gjimshiti, Mavraj, Ismajli, Hysaj; Abrashi, Gjasula, Xhaka; Cikalleshi, Balaj.