Italia shënon afërsisht 200 viktima nga COVID-19, pas 49 fataliteteve të reja
Numri i viktimave nga coronavirus në Itali është rritur sërish, teksa në Romë janë raportuar 49 fatalitete të reja të premten.
Çka do të thotë se 90 persona kanë ndërruar jetë vetëm në 48 orët e fundit, sipas shifrave të fundit nga agjencia e mbrojtjes civile të Italisë.
Franca shpalli së fundmi se do të mbyllë shkollat e ciklit të ulët dhe të mesëm në dy prej rajoneve më të prekura në vend.
Kjo vjen pasi numri i rasteve të konfirmuar në mbarë botën kapi shifrën mbi 100 mijë persona, sipas shkencëtarëve.
Qendra John Hopkins për Menaxhim Sistemesh dhe Inxhinieri citoi disa burime, duke përfshirë dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrën Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve kur publikoi grafikun e fundit.
Sëmundja ka vrarë 3,408 persona.
Të premten, OBSH tha se numri i të infektuarve ishte mbi 98 mijë dhe i bëri thirrje shteteve që të të gjejnë dhe gjurmojnë rastet.
“Në një botë globale, mundësia e vetme është të qëndrojmë së bashku. Të gjitha shtetet duhet të sigurohen mirë që të qëndrojmë së bashku”.
Përmbledhje e zhvillimeve kryesore
- Shefi i të Drejtave të Njeriut Michelle Bachelet ka paralajmëruar se shoqëritë më të varfëra mund “të shtyhen drejt greminës” në përpjekje duke luftuar virusin.
- Lufthansa tha se për shkak të COVID-19, do të ulte numrin e fluturimeve me rreth 25 për qind.
- Franca raportoi dy viktima teksa numri I rasteve është 154.
- Holanda shpalli viktimën e parë nga virusi, një 86 vjeçar nga Roterdami.
- Vatikani dhe Serbia konfirmuan rastet e tyre të para.
- Parlamenti Europian anuloi seancën plenare në Strasburg për shkak të frikës nga coronavirus, duke thënë se rreziku është më I lartë sesa në Bruksel.
- Senati amerikan miratoi një paketë prej 8.3 miliardë dollarë për të luftuar coronavirusin
- Japonia anulloi ceremoninë përkujtimore të viktimave nga tërmeti dhe cunami i 2011.
- Kisha e Lindjes në Betlehem është mbyllur pa një afat të përcaktuar, disa javë përpaa Pashkëve.
- Bollivudi ka shtyrë ceremoninë e përvitshme të shpërndarjes së çmimeve të filmave.
- Të premten, Kina raportoi 143 raste të reja në 24 orët e fundit si dhe 30 viktima, por shumica e rasteve të reja janë jashtë Kinës.
- Numri i rasteve të reja të raportuara në Korenë e Jugut duket se është në rënie.
Italia: Vendi i goditur më keq në Europë
Një ditë pasi lajmëruan se do të mbyllnin të gjithë shkollat dhe universitetet për dy javë, Italia raportoi një rritje të theksuar të viktimave nga COVID-19.
Nga 107 viktima të mërkurën, në 148 të enjten, duke shënuar gjithsej 197 viktima ditën e premte.
Rajoni i Emilja Romanjës dhe Lombardisë në veri të vendit, të cilat rrethojnë Milanon, mbeten zonat më të prekura me afro tre të katërtat e të gjithë rasteve në vend.
Në Lombardi janë 98 të vdekur dhe 2,251 raste, në Emilja Romanja 41 të vdekur dhe 698 të infektuar.
Angelo Borrelli, kreu i agjencisë së mbrojtjes civile tha se deri më tani numri i rasteve nuk i tejkalon numrin e shtretërve nëpër spitale.
“Për momentin, nuk kemi vështirësi të mëdha për sa i përket numrit të shtretërve nëpër strukturat spitalore,” tha Borrelli.
Nga 3,858 raste në total, 1,790 ndodhen në spital prej të cilëve 351 janë në terapi intensive.
Një dekret i qeverisë që hyri në fuqi të enjten i kërkonte qytetarëve që të qëndronin të paktën 1 metër larg njëri-tjetrit, të kufizoheshin vizitat në shtëpitë e të moshuarve dhe i bënte thirrje moshës së tretë që të mos dilnin vetëm në rastet kur ishtë absolutisht e nevojshme.
Kjo direktivë është injoruar gjerësisht teksa mbyllja e shkollave ka lënë shumë prej fëmijëve nën kujdesin e gjyshërve. Parqet në Romë ishin të tej mbushura me fëmijë dhe gjyshër, duke nënvlerësuar përpjekjet e qeverisë për të mbrojtur moshat e treta nga virusi i cili i godet ata më shumë se çdo grup moshë tjetër.
Italia ka popullsinë më të vjetër në botë pas Japonisë.