English

Franca refuzon negociatat, Hahn: “Ky nuk është një moment lavdie për Evropën”

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Franca ka refuzuar bisedimet për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht thirrjes së Komisionit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

- Advertisement -

Vendimi i palës franceze venit kështu shpresat e dy vendeve respektive për t’iu bashkuar bllokut evropian.

“Ndihem shumë i keqardhur që vendet anëtare nuk arrijnë dot në një vendimmarrje”, tha Johannes Hahn, zyrtari më i lartë i BE-së që merret me çështjet e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, gjatë konferencës për shtyp me përfaqësuesen e Presidencës finlandeze. “Ky nuk është një moment lavdie për Evropën”, vijoi më tej ai.

Hahn tha gjithashtu se BE-ja duhet të “rikthejë” besueshmërinë e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe “të përmbushë zotimet e dhëna”. “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë detyrat e tyre të shtëpisë dhe kanë implementuar reforma shumë të dhimbshme”, deklaroi komisioneri i Zgjerimit në largim i BE-së, pasi vendet evropiane nuk arritën konsensusin për të tretën herë brenda një viti e gjysmë për negociatat me dy vendet ballkanike.

Megjithatë, Franca mbetet e vendosur në qëndrimin e saj kundër nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Amelie de Montchalin, ministrja franceze për Çështjet Evropiane, tha se nuk ka asnjë “rrugëzgjidhje” përpara reformimit të procesit të zgjerimit në tërësi, për mënyrën sesi do të “vetohen” vendet kandidate për anëtarësim mbi objektivat e Bashkimit Evropian, ku përfshihen politikat ekonomike, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.

“Gjëja e parë për të cilën duhet të flasim është sesi Evropa mund të reformojë mënyrën e zgjerimit të saj dhe negociatave me vendet kandidate”, tha de Montchalin, duke e quajtur procesin madje si një “telenovelë e pafund”. “A është eficent ky proces sot? Nga pikëpamja jonë, jo”.

Duke ritheksuar këtë pozicion, një zyrtar i Presidencës franceze nga Parisi tha se qeveria e Emmanuel Macronit nuk do të pranojë të hapen negociatat tani.

“Të dyja vendet do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian një ditë… Por, është ende herët për të hapur procesin ligjor drejt zgjerimit”, tha zyrtari në fjalë, që nuk ka preferuar të identifikohet.

Franca argumenton se Bashkimi Evropian po përballet aktualisht me sfida shumë të rëndësishme, si “Brexit”, emigracioni, kërcënimet e sigurisë nga Rusia, saqë nuk mundet të lejojë dy vende të tjera ballkanike t’i bashkohen bllokut. Por, kjo bie ndesh fuqishëm me qëndrimin e Berlinit, i cili është pro zgjerimit.

Një zyrtar gjerman tha se kjo tematikë është çështje prioritare për Gjermaninë, që nga ana e saj pritet të zhvillojë samitin e përvitshëm dypalësh me Francën këtë të mërkurë.

“Kancelarja Angela Merkel do ta diskutojë këtë çështje me Macronin të mërkurën”, tha përfaqësuesi gjerman, i cili shtoi gjithashtu se tematika do të ngrihet prej udhëheqëses gjermane edhe gjatë Samitit të udhëheqësve të shteteve të BE-së në Bruksel, që do të zhvillohet të enjten dhe të premten e kësaj jave.

Por, a është politika në vetvete e zgjerimit në rrezik?

Njohësi i politikave evropiane, Florian Bieber thotë se të qenit armiqësor dhe jo mikpritës ndaj anëtarëve të rinj “do të minonte besueshmërinë e vet Bashkimit Evropian”.

“Vëzhgues të rajonit i shohin qëndrimet e Francës dhe Holandës si të padrejta dhe të motivuara nga politikat e brendshme dhe paragjykimet, – thotë Bieber. – Kjo minon BE-në, që pretendon të jetë një lojtar i ndershëm dhe që ka kritere të qarta, veçanërisht pasi Komisioni ka dhënë dritën jeshile për negociatat”.

Ai thekson se kjo mënyrë sjelljeje do të çojë një sinjal negativ te qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që mund të mendojnë se nuk ia vlen të bësh kompromise të vështira nëse nuk do të pranohen në Bashkimin Evropian.

“Veçanërisht për Maqedoninë e Veriut, e cila ka punuar fuqishëm për të zgjidhur mosmarrëveshjen për emrin me Greqinë fqinje”, nënvizoi njohësi i politikave evropiane.

Kjo qasje do t’u çonte mesazhe negative Kosovës dhe Serbisë gjithashtu, dy vende që kanë problematika edhe më të mëdha në rajon, gjë që e bën Bieberin të ngrejë pyetjen: Përse këto dy vende duhet të arrijnë një marrëveshje të vështirë, kur BE-ja nuk është gati t’iu japë diçka në këmbim?

Franca refuzon negociatat, Hahn: “Ky nuk është një moment lavdie për Evropën”

Kreu i socialistëve të PE-së, letër Tuskut: Zgjerimi, në fokusin e Samitit të Këshillit

Drejtuesit më të lartë të BE-së: “Të hapen tani negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut”

Çelja e negociatave me Shqipërinë, Holanda heziton të votojë pro në tetor

Parlamenti gjerman voton pro hapjes me kushte të negociatave me Shqipërinë

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Altin Dumani paraqiti raportin e Prokurorisë së Posaçme, si e vlerësoni punën e SPAK për vitin 2023?
×