Në tre muajt e fundit janë regjistruar temperaturat më të ngrohta të matura ndonjëherë në Francë, sipas të dhënave të publikuara ditën e premte.
Meteo France, agjencia e motit e Francës, tha se periudha nga 1 dhjetori deri më 29 shkurt kishte qenë më e nxehta që nga 1900 .
Temperaturat në Francë ishin 2.7 gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1981-2010, teksa kushtet klimatike të shkurtit ishin veçanërisht të buta.
“Temperatura ka qenë mesatarisht 2 gradë Celsius mbi normalen për dhjetorin dhe janarin dhe më shumë se 3 gradë Celsius për shkurtin”, tregon Meteo France.
Temperatura mesatare e dimrit në Francë është 5.4 gradë Celsius, por në jug të vendit në shkurt janë regjistruar temperatura më të larta se 20 gradë Celsius.
Kjo hartë nga Meteo France paraqet sesi temperaturat e këtij viti tejkalojnë mesataren e viteve 1981-2010.
Kjo vjen pasi shkencëtarë amerikanë të Administrimit Kombëtar të Oqeaneve dhe Atmosferës cituan tre prej tendencave kryesore të klimës për këtë dimër.
- Temperatura rekord janë parë në disa rajone: Skandinavi, Azi, Oqeani Indian, pjesa qendrore dhe perëndimore e Oqeanit Paqësor, Oqeani Atlantik, Amerika Qendrore dhe Jugore. Nga ana tjetër, në asnjë vend nuk janë regjistruar temperatura të ftohta për janarin.
- Shtresa e akullit të detit polar ishte më e vogël se normalja: Shtresa e akullt e detit Arktik ishte 5.3 për qind më e ulët se mesatarja e viteve 1981-2010, ndërsa në Antarktidë ishte 9.8 për qind më e ulët.
- Shtresa e dëborës ka munguar: Shtresa e dëborës në hemisferën e Veriut ishte nën mesataren e viteve 1981-2010.