Në Francë po bëhet gjithnjë e më e qartë se azilet e pleqve janë pikat më të këqija për krizën e COVIf-19.
Një e treta e të gjitha vdekjeve në vend vjen nga institucionet ku ofrohet kujdes për të moshuarit.
Javën e shkuar, shifrat treguan se në spitalet franceze kishin vdekur rreth 7000 persona, ndërsa në azile rreth 3237.
Në një azil të vetëm, në Mougin të Francës, deri tani kanë pasur 30 të vdekur. Familjarët kanë ngritur padi ndaj disa personave, të cilët i akuzojnë se kanë vënë në rrezik jetën e të tjerëve.
Antoine Ruplinger, Drejtori Rajonal i kompanisë Korian, që menaxhon këtë azil, tha për Euronews se nuk e shpjegonte dot se pse ishte bërë aq keq situata, por mendonte se virusi mund të ishte përhapur në mënyrë të vrullshme.
“Virusi ka qenë për disa ditë ose disa javë brenda azilit, i fshehtë, ndaj janë rritur rastet aq shpejt”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë njoftoi të martën se do të nisnin fushata testimi në azilet e ndryshme të vendit.
“Qëllimi është të testohen të gjithë banorët dhe stafi, që nga çasti kur mësohet për një rast të vetëm”, tha ministri Veran.
Në një azil në Haute-Savoie, drejtuesit kanë javë që shpresojnë të nisë një fushatë e tillë. Masat e distancimit social nisën të zbatohen shumë herët, por nuk e ndalën dot përhapjen e virusit.
“Që nga data 2 mars, nuk kemi lejuar që të vizitohen nga familjarët. Dy javë para se të shpalleshin kufizimet nga qeveria (16 mars). Më 10 mars e izoluam të gjithë institucionin dhe stafi nisi të përdorë maska”, thotë Eric Lacoudre, drejtor rajonal për Odelian.
Por veç kësaj, Lacoudre ka një tjetër problem. Mjekët e zonës së tij tundohen që të shkojnë e të punojnë në Zvicër, ku rrogat janë më të larta.
Mungesa e stafit e ka vështirësuar edhe më shumë punën në mes të kësaj krize.
“Kur virusi u përhap dhe nisi të prekë disa nga anëtarët e stafit, nisëm të hasim vështirësi të mëdha. Javën e shkuar bëmë thirrje për ndihmë dhe solidaritet në rrjete shoqërore. Fatmirësisht, patëm profesionistë të tjerë që erdhën”, tha ai.
Autoritetet franceze u kanë bërë thirrje mjekëve në pension dhe studentëve të mjekësisë që të angazhohen.
Deri tani janë mobilizuar 720 rezervistë, gati të luftojnë kundër pandemisë.