Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u ka dërguar një telegram të gjitha Drejtorive Vendore të Policisë në Qarqe, për mbylljen e menjëhershme të lokaleve të natës, pubeve, diskove, palestrave e lokaleve, aty ku ka grumbullime masive të qytetarëve. Kjo masë ka si qëllim shtimin e vigjilencës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të COVID-19.
Sipas policisë, në zbatim të këtij telegrami, prej mbrëmjes së djeshme janë angazhuar 215 Patrulla të Përgjithshme për zbatimin e këtyre masave të kërkuara nga ministria e Shëndetësisë. Gjatë këtij operacioni janë mbyllur gjatë mbrëmjes së djeshme 522 lokale dhe bare, 29 palestra, 65 bilardo, 21 disko e pube dhe 18 lokale me muzike live.
Strukturat e Policisë së Shtetit infirmojnë qytetarët se do të bashkëpunojnë ngushtë me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, Institutin e Shëndetit Publik, Njësitë e Qeverisjes Vendore, Prefektët e Qarqeve dhe institucionet e tjera shtetërore që i ngarkon ligji.
Policia e Shtetit iu bën thirrje pronarëve të lokaleve në të gjithë vendin, që të zbatojnë pa asnjë hezitim urdhrat e përcjella nga punonjësit e Policisë dhe të mos i kundërshtojnë ato, pasi në të kundërt, moszbatimi i urdhrave do shoqërohet me penalitete ligjore.