Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka ftuar në një takim të tretë konsultativ, për të martën në mëngjes, kreun e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, për të diskutuar lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së re.
Pas mosparaqitjes së Kurtit në dy takimet e para të caktuara nga presidenti Thaçi, ky i fundit në ftesën e tretë bërë fituesit të zgjedhjeve, ka shkruar se e mirëkupton pamundësinë e pjesëmarrjes në dy takimet e së premtes.
Megjithatë, kreu i shtetit thekson se ftesa e re lidhet me nevojën për funksionalizimin sa më të shpejtë të qeverisë.
Kryetari i partisë fituese në zgjedhjet e fundit në Kosovë i është përgjigjur se e ka të pamundur ta takojë, por shprehet i gatshëm për t’u ulur me Presidentin Thaçi më 6 janar të vitit të ardhshëm.