Sundimtarë talebanë të Afganistanit u refuzuan nga qeveritë e huaja pasi morën pushtetin më 2021, por së voni talebanët kanë korrur disa fitore të mëdha në përpjekjet e tyre diplomatike për të krijuar marrëdhënie ndërkombëtare.
Gjatë kësaj jave, i dërguari i posaçëm indian, Anand Prakash, ishte në Kabul për bisedime me udhëheqës të lartë talebanë, me qëllim forcimin e lidhjeve politike dhe tregtare, shkruan REL.
Kjo vizitë u zhvillua pasi ministri i Jashtëm uzbek, Bakhtiyor Saidov, mirëpriti një delegacion të talebanëve në Tashkent, për bisedime lidhur me një lidhje të propozuar për një hekurudhë që do të kalonte përmes Afganistanit.
Dhe, javën e kaluar, talebanët shënuan fitoren më të madhe: Rusia i largoi ata nga lista e organizatave terroriste dhe u pajtua që ambasadorët mund të emërohen në Kabul dhe Moskë.
Ende askush nuk e ka njohur regjimin taleban. Udhëheqësit militantë gjerësisht janë kritikuar për shkelje të të drejtave të njeriut, veçmas të grave dhe vajzave.
Por, gjërat po lëvizin drejt qëllimit kryesor të talebanëve, atë të pranimit të tyre në qarqet ndërkombëtare.
“Ka një ndjenjë në rritje se fuqitë e mëdha po nisin të garojnë me njëra-tjetrën për të njohur një organizatë terroriste”, tha për Current Time të Radios Evropa e Lirë, analisti politik afgan, Fakhim Kukhdomani.
Në janar të vitit 2024, Kina u bë shteti i parë që pranoi një ambasadorë të emëruar nga talebanët. Pekini po ashtu po bisedon me talebanët për projektet në infrastrukturë dhe investime, si pjesë e nismës kineze Brezi dhe Rruga.
Çfarë dëshiron Rusia në Afganistan?
Rusia po ashtu po kërkon që të zhvillojë interesa ekonomike në Afganistan, veçmas në sektorët e mihjes dhe energjisë. Në fakt, Moska e ka mbajtur të hapur ambasadën e saj në Kabul, duke e ulur thjesht në nivel formal misionin diplomatik, pasi talebanët morën pushtetin.
“Shërbimet ruse të inteligjencës asnjëherë nuk i kanë ndërprerë kontaktet me komandantët talebanë”, tha Kukhdomani.
Sa i përket sigurisë, interesi kryesor i Rusisë ka të bëjë me luftimin e grupit Shteti Islamik-Korasan, që mori përgjegjësinë për një sulm terrorist në Rusi në mars të vitit 2024.
Aleksei Zakharov, nga Fondacioni për Kërkime, institut me bazë në Delhi, tha po ashtu se Rusia po ndjek një agjendë ekonomike në Afganistan.
“Përfaqësuesit rusë dhe talebanë pritet që të nënshkruajnë një kontratë për transportin e 50 milionë metra kub të gazit të lëngshëm gjatë KazanForum, që do të mbahet në maj të vitit 2025”, shkroi ai më 28 prill.
Ky gaz i lëngshëm synon të dërgohet në tregjet në Azinë Jugore dhe Juglindore.
“Megjithatë, kapaciteti i rrugës transportuese përmes Afganistanit dhe çështjet e sigurisë mund të kufizojnë zbatimin e marrëveshjes”, shtoi Zakharov.
Mund të ketë probleme të ngjashme me të cilat mund të përballet edhe projekti i hekurudhës, i përmendur më sipër, i cili synon të krijojë një korridor tranziti nga Rusia, përmes Uzbekistanit dhe Afganistanit, për në Pakistan.
LEXONI GJITHASHTU:
- Talebanët paralajmërojnë SHBA-në pas kërcënimeve për ndalimin e shtetasve amerikanë
- SHBA heq shpërblimet për informacione rreth liderëve taleban