Stadiumi “Air Albania” do të hapë sërish dyert më datën 10 janar, për të pritur një aktivitet ndryshe nga herët e tjera.
Ish-lojtarët e Shqipërisë, Greqisë, Italisë dhe Turqisë do të matin forcat në një organizim bamirësie për të prekurit nga tërmeti që goditi Shqipërinë në datën 26 nëntor.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar organizimin e këtij aktiviteti.
Të gjitha përfitimet e biletave do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti.
Ky turne është organizuar nga sindikata e futbollistëve në mbështetje me FSHF-në. Federata e Fubollit është zotuar të ndërtojë të paktën tre shtëpi të rrënuara nga tërmeti, ose më shumë në varësi të fondeve të mbledhura.
Ka nisur tashmë edhe evidentimi i shtëpive. Pjesëmarrës do të jenë disa nga lojtarët që janë shpallur kampion bote me Italinë në 2006, si dhe disa nga lojtarët e Greqisë që fituan europianin e vitit 2004.
I ftuar në Euronews Albania, Andi Lila, ish-futbollisti i kombëtares, thotë se nga Shqipëria solidariteti për këtë nismë ka qënë shumë i madh.
“Nga shqipëria ka patur një solidaritet të madh, që në telefonatën e parë të gjithë kanë reaguar. Ish-futbollistët e kombëtares, e miratuan dhe e pranuan me shumë dëshirë këtë iniciativë”, thotë ai.
Sipas Andi Lilës, ndeshjet do të jenë të organizuara në dy gjysmë-finale dhe një finale.