Me kandidatët demokratë për president që luftojnë për karrierën e tyre politike, përpara shpalljes së fillores në New Hampshire të kandidatit i cili do të përballet me republikanin Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, rivalët brenda partisë sulmuan njëri-tjetrin.
Kandidatët demokratë për president, Bernie Sanders dhe Pete Buttigieg, të cilët dolën në kryet të garës në Iowa, u përballën me një mori kritikash nga rivalët, të cilët thanë se nuk kanë aftësitë e duhura për të mposhtur republikanin Donald Trump në nëntor.
Në një debat të nxehtë në New Hampshire vetëm katër ditë para nisjes së zgjedhjeve në këtë shtet, rivalët e tyre demokratikë ngritën pikëpyetje nëse pikëpamjet social-demokrate të Sanders, mungesa relative e përvojës së Buttigieg dhe mungesa e mbështetjes nga afrikano-amerikanët dhe latinët, i bën ata të paaftë për t’u përballur me Trump më 3 nëntor.
Në debat u vu re mungesa e miliarderit Michael Bloomberg, ish-kryetari i bashkisë së New York-ut, i cili nuk po garon në New Hampshire, por që rezulton të ketë një mbështetje të madhe në disa shtete.
Ai është duke e financuar vet fushatën e tij elektorale dhe nuk ka pasur donatorë, për këtë arsye nuk i përmbushi kriteret për t’u përfshirë në debat.
Kriteri për të pasur financues donatorë për të marrë pjesë në debat, u hoq nga Komiteti Kombëtar Demokrat për debatin e radhës në Nevada. Heqja e këtij kriteri i jep mundësi Bloomberg të përballet me rivalët e tij demokratë.
Votuesit në New Hampshire do të thonë fjalën e fundit të martën, në një garë që, deri më tani, ndahet ngushtë mes Sanders dhe Buttigieg.