Nga rekomandimet e OSBE/ODIHR–it, tek ndryshimi i sistemit zgjedhor, financimi i partive, ndarja e politikës nga krimi deri tek transparenca e diskutimeve dhe gjithëpërfshirja janë kriteret e Opozitës për mbarëvajtjen e Këshillit Politik.
Një dokument me 7 pika i opozitës së bashkuar, u paraqit në takimin e parë të tryezës politike për reformën zgjedhore. Ajo çfarë bie në sy është se opozita shpreh angazhimin e saj për të diskutuar edhe sistemin zgjedhor.
Ndër qëllimet kryesore të opozitës, saktëson dokumenti, është një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese që synon forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit.
Opozita gjithashtu ka shpallur edhe kërkesa në lidhje me përbërjen e Këshillit Politik. Sipas saj, Këshilli do të përbëhet nga 10 anëtarë, nga të cilët 5 përfaqësues të Kuvendit dhe 5 përfaqësues të Opozitës së Bashkuar.