Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur dje optimist se nën udhëheqjen e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe të dërguarit special të tij, Richard Grenell, procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të përmbyllet me njohje reciproke. Për këtë çështje, por edhe elementë të tjerë ka folur gazetari dhe analisti i njohur z. Enver Robelli.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Skype” me emisionin “Good Morining Albanians” në Euronews Albania, z. Robelli tha se krerët politikë në Kosovë duhet të koordinohen ngushtë sa i takon politikës së jashtme, ndërsa shtoi faktin se çdo veprim tjetër, do të ketë pasoja për vetë shtetin e Kosovës.
Ai pohoi se nuk është optimist se politika kosovare do të arrijë në koordinim të plotë mbi politikën e jashtme. Sipas tij, ky mosbesim i fortë ndaj politikës kosovare është pasojë e marrëdhënieve të tensionuara që kanë pasur në të kaluarën Presidenti, Hashim Thaçi dhe Kryeministri, Albin Kurti.
“Unë mendoj se Kosova ka nevojë urgjente për një koordinim të politikës së jashtme. Nuk mund të shkojë siç ka shkuar deri tani, në njërën anë ish- kryeministri Haradinaj, në ana tjetër zoti Thaçi me politikat paralele të jashtëm. Kjo ka qenë e dëmshme për Kosovës. Mendoj se ka nevojë për një konsensus shoqëror, politik në Kosovë dhe unë nuk jam shumë optimist se do të ndodhë për shkak të raporteve mjaft të acaruara në vite mes presidentit Thaçi dhe kryeministri Kurti. Por, vërtet për Kosovën do të kishte rëndësi një koordinim sepse mund të ketë pasoja”-tha ai.
Por, si e sheh gazetari qasjen diplomatike të SHBA mbi dialogun Kosovë-Serbi, për këtë z. Robelli tha se nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, atëherë tentativat për marrëveshje mbi linjat ajrore dhe hekurudhat janë thjesht të kota.
“Mendoj se presidenti Trump po përpiqet që përmes miqve të tij, si në lindjen e afërt edhe këtu në Ballkan, të zhvillojë kështu një politikë paralele të jashtme, t’i shtyjë gjërat përpara me ide jokonvencionale, me veprimet jokonevcionale. Edhe kjo ideja me linjat hekurudhore, linja ajrore më Beogradin janë vetëm balona provuese, nuk kanë ndonjë efekt të madh në jetën e përditshme të njerëzve. Në fakt problemi themelor mes Kosovës dhe Serbisë është politika e sabotimit, që e zhvillon Serbia ndaj Kosovës.
Kjo është një politikë që synon prapakthimin e Kosovës, dëmtimin dhe çmontimin e pavarësisë së saj. Deri sa nuk ka një qëndrim të qartë perëndimor edhe amerikan që i thotë shumë qartë Serbisë dhe i jep një afat, që brenda marrëveshjes që supozohet se do të arrihet, nuk ka edhe njohje të Kosovës, nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë debatet për linjat ajrore janë të kota”-shtoi z. Robelli.
Teksa komentoi deklaratat e Kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit, i cili ka njoftuar aplikimin e masave të reciprocitetit ndaj Beogradit zyrtar, gazetari i njohur Enver Robelli theksoi se Kosova duket që nuk ka mbështetjen e duhur ndërkombëtare për vijimin e aplikimeve të tarifave kundrejt mallrave serbe dhe atyre boshnjake.
“Tarifat ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe e kanë kryer efektin e tyre. Është iluzion, siç mendojnë disa opozitarë në Kosovë se “Serbia do ta pranojë Kosovën vetëm nëse ne rrimë kështu duarkryq dhe themi: Ne kemi tarifën dhe tarifa është mburoja jonë”. Jo, Kjo nuk do të ndodhë, sepse siç e dimë edhe nga historia e re, ju mund të ecni përpara në një çështje vetëm nëse keni përkrahje ndërkombëtare.
Në këtë çështje Kosova duket se nuk ka përkrahje ndërkombëtare. Është një kërkesë eksplicite e SHBA që këto tarifa të hiqen. Se si do të kundërpërgjigjet me masa të tjera kryeministri dhe qeveria e tanishme është vështirë të thuhet, sepse përveç një grumbuj fjalësh se do të këtë reciprocitet, ende nuk kemi parë diçka konkrete, por ka mjaft mënyra me të cilët Kosova mund t’i kundërpërgjigjet Serbisë në çështjet e reciprocitet”-theksoi mes tjerash gazetari Robelli.
Lexoni gjithashtu
Presidenti i Kosovës: “Besoj që së shpejti do të ndodhë njohja reciproke Kosovë-Serbi”
Çfarë do të ndodhi me taksën 100%? Kurti: Reciprocitet të plotë me Serbinë
Haradinaj letër Kurtit: Ke vuajtur në burgjet e Serbisë, mos gabo të heqësh taksën 100%