English

Gazetari: Puç në Kushtetuese, gjyqtarët tentojnë t’i rrëmbejnë mandatin Bejtjas

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Përmes një shkrimi të gjatë, gazetari Romir Saraçi ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një “puç kushtetues”. Sipas tij, një grup gjyqtarësh po përpiqen të rrëmbejnë mandatin e anëtares Sonila Bejtja, duke përdorur elementë që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin. Saraçi shpjegon se një tentativë paraprake për të realizuar këtë skemë, duke përdorur akte të dyshuara të falsifikuara, ka dështuar, por theksoi se përpjekjet për këtë manipulim ende vazhdojnë.

- Advertisement -

Shkrimi i plotë i gazetarit Romir Saraçi:

Një situatë e paprecedentë, me nuancat e një “puçi kushtetues”, po zhvillohet prej ditësh brenda Gjykatës Kushtetuese, ku disa anëtarë të saj po tentojnë t’i rrëmbejnë mandatin koleges së tyre, Sonila Bejtja.

Një tentativë paraprake për realizimin e kësaj skeme, bazuar në elementë anti-kushtetues, anti-ligjore dhe e mbështetur në akte të dyshuara të falsifikuara, dështoi. Megjithatë, përpjekjet për të rrëmbyer mandatin e Bejtjas vijojnë ende.

Fatkeqësisht, në këtë skemë është përfshirë me vetëdije edhe zyra e “Zërit të Amerikës” në Tiranë, e cila, nën justifikimin e interesit publik, u ka dhënë zë dhe hapësirë pretendimeve të disa prej anëtarëve të Kushtetueses, duke paraqitur haptazi të dhëna të rreme dhe të tjetërsuara.

“Skemat” kushtetuese janë disi të ndërlikuara për publikun e gjerë, ndaj çmontimi i tyre nxit nevojën e disa sqarimeve teknike të thjeshtuara.

Për “çmontimin e skemës” shërben si referencë raportimi i “Zërit të Amerikës”, me autor gazetarin Armand Mero.

Në orët e vona të pasdites së të Martës (27 janar 2025), Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin për “mbarimin e mandatit të gjyqtares, njëkohësisht kryetare, Holta Zaçaj”, i miratuar në 23 dhjetor 2024. Në orët e vona të mbrëmjes, “Zëri i Amerikës” publikoi raportin e gazetarit Mero.

Gjuha e përdorur në atë raportim ishte thellësisht teknike dhe me nocione të teorisë kushtetuese, të cilat krijojnë dyshimet e forta se ai nuk është leksiku i një gazetari, por i një gjyqtari kushtetues.

Nisur nga premisa se “raportimi” i Meros është indiktuar nga gjyqtarë kushtetues të interesuar për të rrëmbyer mandatin e koleges së tyre, Sonila Bejtja, sqarimet shkojnë pikërisht për “skemën” e këtyre të fundit.

Disa nga pikat kryesore në raportin e VOA, përmenden:

(1) vonesa disa-ditore tej afatit 30-ditor në zbardhjen e vendimit për Holta Zaçaj;

(2) referenca (e pjesshme, shën.red) në Opinionin e Komisionit të Venecias të vitit 2020 për ripërtëritjen 3-vjeçare të mandave të Gjykatës Kushtetuese;

(3) fakti që vendimi për znj. Zaçaj afekton drejtëpërdrejtë edhe mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja;

(4) fakti që Kryetarja e Parlamentit ka shpallur “vakancë të plotë” për zëvendësimin e gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska, një procedurë që sipas raportimin është “në kundërshtim me Kushtetutën”;

(5) fakti që, për mandatin e Sonila Bejtjas, në mungesë të reagimit nga Gjykata Kushtetuese, i takon Presidentit të Republikës, si organ emërtese i saj, që të nxisë trupën gjykuese të shpallë vakancën.

Vonesa në zbardhjen e vendimit

Është e vërtetë që zbardhja e vendimit për mbarimin e mandatit të Holta Zaçaj ka tejkaluar me disa ditë afatin 30-ditor. Raportimi i VOA e konsideron “në shkelje të hapur të afateve që përcakton ligji”, megjithëse brenda këtij afati përfshiheshin edhe pushimet dimërore e fundjavat.

Por, ndërkohë që ekziston një shqetësim i lartë për “vonesën” në zbardhjen e vendimit për mandatin e Zaçaj, e cila gjithësesi nuk sjell asnjë pasojë, “VOA” nuk ka shprehur shqetësimin e thellë për vonesa të ngjashme në zbardhjen e vendimeve për kryedemokratin Sali Berisha, për vendimin për anëtarin e Kryesisë së Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi, për vonesat në zbardhjen e vendimit për Pagat e të tjerë, vonesa e të cilëve pas-sillte pasoja për të drejtat e njeriut të individëve apo edhe të kategorive të ndryshme shoqërore.

Gjithësesi, siç mësohet, “vonesa disa-ditore” në zbardhjen e vendimit të Holta Zaçaj mund të fshehë një skandal më të rëndë. Ka të dhëna se ka pasur tentativa manipulimi, falsifikimi apo tjetërsimi në zbardhjen e vendimit për Zaçaj, duke synuar përfshirjen brenda tij të elementëve që nuk ishin pjesë e vendimmarrjes së trupës gjykuese.

Sipas këtyre të dhënave, ka pasur tentativa që, nën justifikimin e mbarimit të mandatit të Holta Zaçaj, të përfshiheshin elementë, të padiskutuar dhe të pamiratuar, por që targetonin drejtëpërdrejtë mandatin e gjyqtares tjetër, Sonila Bejtja. Pikërisht, nevoja për të parandaluar një falsifikim të tillë flagrant, ka tejkaluar me vetëm pak ditë afatin e zbardhjes së vendimit për mbarimin e mandatit të Holta Zaçaj.

Referenca (e pjesshme) tek Venecia

Në raportin e “Zërit të Amerikës” (nënkupto, gjyqtarët kushtetues të interesuar) risillet në vëmendje Opinioni i Komisionit të Venecias i vitit 2020, në të cilin përmendet skema e ripërtëritjes së mandave të anëtarëve të Gjykatës me 3 vjet, sipas përcaktimeve të Kushtetutës së amenduar në vitin 2016, në kuadër të Reformës në Drejtësi.

“Komisioni i Venecias në opinionin e tij të qershorit 2020, e zbërthen qartazi skemën e parashikuar nga Kushtetuta dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, në dispozitat kalimtare, kur shprehet se “në këtë mënyrë, pika 3 e nenit 179, synonte të rikrijonte tre grupe me nga tre gjyqtarë, mandati i të cilëve do të përfundonte në të njëjtin vit: tre në 2025, tre në 2028 dhe tre në 2031”, thuhet në raportin e VOA.

Për një raportim sa më të saktë, të paanshëm e transparent, do të duhej të ishte publikuar edhe paragrafi 107 i tij, në të cilin thuhet shprehimisht: “Komisioni i Venecias është i mendimit se modeli kushtetues i miratuar në vitin 2016 është tepër komplekse dhe në terma afatgjatë do të rekomandonte thjeshtimin e tij, në radhë të parë duke e hequr rregulli i sekuencës”.

Vendimi për Zaçaj ndikon mandatin e Sonila Bejtja?

Në raportin e “Zërit të Amerikës” thuhet se “Nëse do të përdoret për analogji, interpretimi i rastit të zonjës Zaçaj, kohëzgjatja e qëndrimit në detyrë të gjyqtarit zëvendësues, Besnik Muçi, (Sonila Bejtja, shën.red) duket të jetë po ashtu viti 2025, dhe pikërisht data 25 prill”.

Ky paragraf është pika më kulmore e të gjithë historisë që vjen era “puç kushtetues”. Për autorët e këtij raportimi, mandati i gjyqtares Bejtja përfshihet në skemën e ripërtëritjes tre-vjeçare dhe ajo duhet të largohet në Prill 2025.

Ky intepretim, i cili është frymëzuar qartësisht nga një pjesë e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, është tërësisht pa bazë kushtetuese, ligjore dhe në praktikën dokumentare.

Në nenin 179/3 të Kushtetutës thuhet: “Për rinovimin e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin të cilit i mbaron mandati në vitin 2017 do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025 dhe gjyqtari i ri që do të zëvendësojë gjyqtarin që i mbaron mandati në vitin 2020. detyrë deri në vitin 2028. Gjyqtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit”.

Këto parashikime kushtetuese nuk kanë asnjë lidhje me mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja. Për të kuptuar ecurinë e mandatit të saj, duhet të rikthehemi pak në kohë.

Në prill të vitit 2016 përfundoi mandati i plotë i gjyqtarit Sokol Berberi. Sipas parashikimeve të Kushtetutës, ai vijoi të qëndronte në detyrë, në pritje të zëvendësuesit.

Në shtator të vitit 2016, Berberi dha dorëheqjen e vullnetshme, duke argumentuar se mandati i tij kishte përfunduar 5 muaj më parë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), struktura e ngarkuar nga “Reforma në Drejtësi” për shqyrtimin e kandidaturave për anëtar të Gjykatës së Lartë, nuk funksionoi për një periudhë gati 2-vjeçare.

Pas nisjes së aktivitetit të KED-së dhe shqyrtimit të kandidaturave, Presidenti i Republikës, në 15 Tetor 2019, emëroi Besnik Muçin gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Në procedurat e ndjekura nga Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili në atë kohë drejtohej nga Ardian Dvorani, gjyqtari Besnik Muçi u emërua për “një mandat të plotë 9-vjeçar”.

Por, vetëm një muaj më pas, në 21 nëntor 2019, Muçi shkarkohet nga detyra, bazuar në një vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), në vijim të procedurës së Vetingut të nisur ndaj tij që nga koha që ushtronte funksionet e prokurorit pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.

Më 22 nëntor 2019, Presidenti i Republikës shpalli procedurën për plotësimin e vakancës së parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, të krijuar nga shkarkimi i gjyqtarit Besnik Muçi.

Pas vendimit të KED-it dhe procedurave të duhura për plotësimin e këtij vakanti të parakohshëm, në datën 28 dhjetor 2020, Presidenti i Republikës nxori Dekretin nr. 11886, që përcakton “…pas marrjes së listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve në garë dhe raportit të arsyetuar të renditjes për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakant i parakohshëm, i shpallur nga Presidenti i Republikës më 22 nëntor 2019. Vendosa të dekretoj zonjën Sonila Bejtja, e cila emërohet gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese”.

Pra, sipas të dhënave kronologjike, mandati i Sonila Bejtjas nuk lidhet me asnjë nga periudhat kohore të cituara në Kushtetut për “mandat të pjesshëm”. Dhe, sipas parimeve të njohura juridike, atë që nuk e parashikon Kushtetuta, nuk mund ta bësh me interpretim.

Nga ana tjetër, bazuar në të gjithë dinamikën dokumentare, rezulton se gjyqtarja Sonila Bejtja u emërua për të qëndruar në detyrë për pjesën e pa-ezauruar të mandatit të plotë 9-vjeçar të gjyqtarit të shkarkuar Muçi (përkatësisht 8 vjet e 11 muaj, pasi Besnik Muçi konsumoi vetëm një muaj nga mandati i tij si gjyqtar kushtetutes). Sipas llogarive, mandati i gjyqtares Sonila Bejtja përfundon në nëntor të vitit 2028.

Spiropali ka gabuar me mandatin e Elsa Toskës?

Në raportin e “Zërit të Amerikës” (nënkupto gjyqtarët kushtetues të interesuar për rrëmbimin e mandatit të anëtares Sonila Bejtja), thuhet: “Në vitin 2019, parlamenti, në kundërshtim me këtë skemë emëroi për një mandat deri në vitin 2028, zonjën Elsa Toska. Dorëheqja e saj në shtator të vitit të kaluar, krijoi mundësi për korrigjimin e këtij gabimi. Por kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali, për zëvendësimin e saj la në fuqi mandatin po ashtu deri në 2028. Ndërsa procedura nuk është përmbyllur (për vakancën e Elsa Toskës, shën.red), pas këtij interpretimi të Gjykatës Kushtetuese, parlamenti ka sërish mundësi të anullojë procedurën, kur rasti të shkojë në Komisionin e ligjeve”.

Gjyqtarët kushtetues të interesuar në këtë histori nuk kanë pasur guximin të interpretojnë vetë “gabimin” e Kuvendit, pasi nuk kanë asnjë tagër ligjor për të bërë një skanim të tillë, dhe ndaj duket se kanë zgjedhur të fshihen pas shkrimeve e raportimeve “me porosi”.

Historia e mandatit të Elsa Toskës fillon në vitin 2019, kur, Parlamenti i asaj kohe, nën drejtimin e Gramoz Ruçit, e emëroi si gjyqtare kushtetuese për një mandat të plotë 9-vjeçar, i cili përfundonte në vitin 2028.

Në shtator të vitit 2024, gjyqtarja Toska dha dorëheqjen dhe Parlamenti i drejtuar nga Elisa Spiropali, në vijim të praktikës kushtetuese e dokumentare, shpalli thirrjen për aplikimin e për plotësimin e vakancës së plotë të lënë në mes nga Elsa Toska.

Kjo procedurë tashmë është në fazën finale të saj, ku 10 kandidatë, të cilët janë në dijeni se mandati përfundon në vitin 2028, tashmë janë në fazën e verifikimit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Kjo do të thotë se diskutimi mbi afatin e mandatit të zëvendësuesit të Toskës është i kohë, i pabazë dhe, për më tepër, shpresa e nxitësve të raportimit të “Zërit të Amerikës” për një “korrigjim të procedurës nga Komisioni i Ligjeve” është tërësisht e pavend.

Për t’u plotësuar kjo “dëshirë” e disa prej gjyqtarëve kushtetues, do të duhet që Komisioni i Ligjeve të shfuqizojë jo vetëm vendimin e Spiropalit për vakancën e krijuar nga dorëheqja e Elsa Toskës, por edhe vendimin e emërimit të saj, pas vendimit të Gramoz Ruçit. Për këdo që ka ndopak dijeni nga e drejta kushtetuese, kjo situatë është thjesht, e pamundur.

Por, për të konkretizuar situatën, “nxitësit” e raportit të “VOA” nuk kanë shqetësim mandatin e Elsa Toskës, por atë të Sonila Bejtjas.

Ku qëndon “kleçka”? Elsa Toska është emëruar për një mandat të plotë. Në rast se do të ndryshohej kohëzgjatja e mandatit të saj, duke e cilësuar pasardhësin si një “gjyqtar me mandat të pjesshëm që përfshihet në skemën e përtëritjes 3-vjeçare”, atëherë, për analogji, një skenar i tillë mund të përdorej për Sonila Bejtjan, e cila gjithashtu është emëruar nga Presidenti i Republikës për një mandat të plotë, por që, me interprtetim okult, do t’i ndërpritej mandati.

Të ndërhyj Presidenti për mandatin e Sonila Bejtja?

Në raportimin e “Zërit të Amerikës” (nënkupto gjyqtarët kushtetues të interesuar për rrëmbimin e mandatit të anëtares Sonila Bejtja) ngrihet shqetësimi se përse kryetarja (ende në detyrë) e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, nuk ka thirrur mbledhjen për shpalljen e mbarimit të mandatit të anëtares Sonila Bejtja

Duke cituar Kushtetutën, që parashikon thirrjen e mbledhjes 3 muaj para përfundimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, “VOA” pretendon se kjo mbledhje duhet të organizohej brenda datës 25 janar 2025.

“Mbetet të shihet se cili do të jetë qëndrimi i Presidentit, tanimë kur vetë Gjykata Kushtetuese ka bërë interpretimin e skemës së ripërtëritjes dhe përfundimit të mandateve për vitin 2025. Në mungesë të lëvizjeve nga vetë Gjykata, i takon atij, t’i drejtohet asaj duke i kërkuar ushtrimin e kompetencës për rastin”, thuhet më tej në raportin e “Zërit të Amerikës”.

Pas tentativae anti-kushtetuese dhe pas një serie shkrimesh të porositura në portale periferikë për të denigruar figurën dhe personalitetin e koleges së tyre, disa prej gjyqtarëve kushtetues shpresojnë se mandati i Sonila Bejtjes do të ndërpritet me një lëvizje “in extremis” të Presidentit të Republikës, si organ i emërtesës.

Por, sa reale janë këto shpresa? Sonila Bejtja mori mandatin e krijuar nga vakanca prej largimit të Besnik Muçit, i cili kishte marrë mandat të plotë pas përfundimit të detyrës së Sokol Berberit.

Që mandati i Besnik Muçit (të cilin pasoi Sonila Bejtja) ishte i plotë, kjo është përcaktuar qartësisht në aktet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, mbi të cilat më pas u bazua vendimmarrja e Presidentit të Republikës.

Në datën 07.02.2028, Presidenti i Republikës shpalli thirrjen për plotësimin e “vakancës së parë” për në Gjykatën Kushtetuese, të krijuar pas përfundimit të mandatit të gjyqtarit Sokol Berberi.

Në 21 shtator 2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili në atë kohë drejtohej nga Ardian Dvorani, i përcjell Presidentit të Republikës “listën përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese në vendin vakant, vakancë e plotë, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 7.2.20218”.

Në listën me 4 emra gjendej edhe Besnik Muçi, i cili, më 15 tetor 2019, u dekretua nga Presidenti i Republikës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pra, referuar akteve, Besnik Muçi u emërua në detyrë për mandat të plotë 9-vjeçar, të cilin duhet ta përfundonte në tetor 2028.

Por, vetëm një muaj më pas, në nëntor 2019, Besnik Muçi shkarkohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në vijim të procesit të Vetingut që kishte nisur ndaj tij më herët, kur mbante pozicionin e prokurorit.

Menjëherë, Presidenti i Republikës shpalli procedurat për plotësimin e vakancës (së plotë) të gjyqtarit Besnik Muçi. Pas procedurave të zhvilluara, në Dhjetor 2020, Presidenti dekreton

Sonila Bejtja si gjyqtare kushtetuese për plotësimin e vakancës së krijuar nga largimi i ish-gjyqtarit Besnik Muçi, bazuar në renditjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Rrjedhja kronologjike e procedurave kushtetuese dhe ligjore përcakton se mandati i Sonila Bejtjas zgjat për aq sa do të zgjaste ai i Besnik Muçit (pra, deri në tetor 2028).

Bazuar mbi të gjithë zhvillimet, Presidenti i Republikës, për të plotësuar “dëshirën” e disa prej gjyqtarëve kushtetues që të ndërhyrjë për ndërprerjen e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, do të duhet që të shfuqizojë dy dekrete të mëparshme të po vetë Presidentit të Republikës-dekretin për emërimin e Besnik Muçit në vakancë të plotë dhe dekretin për Sonila Bejtjan, e cila plotësoi vakancën e krijuar nga Besnik Muçi.

Për këdo që ka ndopak dijeni nga e drejta kushtetuese, kjo situatë është thjesht, e pamundur.

***

Pas zbërthimit të “puçit kushtetues” të disa prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët po keqpërdorin një emiment të rëndësishëm mediatik si “Zëri i Amerikës”, tashmë është ndoshta momenti që të dalin e të bëjnë analiza me emrin e tyre, e të mos fshihen pas gazetarëve apo portaleve anonimë.

Do të ishte një betejë “më e ndershme”, pavarësisht se do të dëshmonte për nivelin shumë të ulët të njohurive kushtetuese.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?