Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit bëri me dije se Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës.
Bardhi i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të marrë në shqyrtim pa vonesë kërkesën e grupit parlamentar të PD.
“Shqipëria është rasti unik në botë ku ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, deputetja Xhaçka gëzon njëkohësisht dhe statusin e partnerit strategjik për një investim në Himarë me vlerë 5.5 mln euro. Me vendim të eprorit të saj, Rama, ministrja Xhaçka dhe bashkëshorti i saj kanë përfituar të drejtën për të përdorur pronën publike për aktivitetin e tyre tregtar për fushën e hoteleri turizmit. Kjo bie ndesh me nenin 7 të Kushtetutës që i ndalon deputetët që të përfitojnë fonde publike apo të përfitojnë pronë publike. Grupi parlamentar i PD i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të marrë në shqyrtim pa vonesë kërkesën e depozituar dhe të garantojë zbatimin e këtij ndalimi kushtetues pavarësisht se bëhet fjalë për një njeri të rëndësishëm të kabinetit qeveritar”, tha Bardhi.
Kërkesa është depozituar në Gjykatën Kushtetuese nga grupi parlamentar i PD dhe është firmosur nga 14 deputetë të grupit parlamentar.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Mund të detyrohemi të bëjmë hapa pas”, Dule e Xhaçka debat për integrimin në BE
- Olta Xhaçka takim me homologun turk, çfarë pritet të diskutohet