English

Gentian Zenelaj pyetje publike kryebashkiakut Veliaj: Çfarë interesi ka sot të shembë Teatrin Kombëtar?

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Një zë i fuqishëm kundër shembjes së teatrit kombëtar, aktori Gentian Zenelaj tha në studion e Euronews Albania se lidhur me projektin e Teatrit Kombëtar ka pasur shumë devijime nga ana e bashkisë.

- Advertisement -

Sipas tij nuk janë dëgjuar qytetarët, por edhe është shpërfillur vlera e trashëgimisë kulturore. Po ashtu Zenelaj shtoi se qeveria ka provuar me projektet e reja të ndërmarra se nuk ka qenë e aftë të kthejë ndjesinë artistike, por edhe sociale.

“Duke prishur teatrot  e vjetra dhe duke prishur kinematë e vjetra ata nuk ishin të aftë që të na jepnin, të na kthenin mbrapsht ambiente social- kulturore. Kjo ka ndodhur me Turbinën dhe më lejo ta deklaroj në emisionin tënd, nëse ka një punë dopo-lavoro në këtë vend është ArtTurbina. Pra, nëse ka një punë të ndërtuar komunale, është ArtTurbina,” u shpreh Zenelaj.

“Ne kërkojmë që ky teatër i cili është ndërtesë unikale të ruhet, sepse ne kemi të drejtën qytetare të ruajmë dy tre piketa në historinë kulturore artistike-sociale të vendit tonë dhe kudo, ku të dojë ai, ndoshta dhe në parkimin e bashkisë që është mbrapa të ndërtojë një teatër modern, super luksoz, si të ketë dëshirë,” ironizoi Zenelaj.

Aktori u shpreh se projekti i teatrit ishte i lidhur me interesa të ngushtë.

“Për hatër të disa njerëzve që kanë interesa të ngushta të mos shkatërrojmë me duart tona një traditë që është ajo ndërtesë. Dhe unë them që me këto ritme që po ndryshon Tirana, ajo po ngelet e vetmja ndërtesë që ka një histori brenda saj,” shtoi aktori, duke sugjeruar ngritjen e teatrove në shumë zona të qytetit dhe për të mos i përqendruar ato vetëm në qendër të kryeqytetit.

Zenelaj iu drejtua me një pyetje publike kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Çfarë interesi ka ai sot të shembi teatrin kombëtar, një ndërtesë që është kult për ne aktorët?” – pyeti aktori.

Sipas Zenelajt, tani që interesat e kompanisë private janë shuar, bashkisë i shërben më mirë ruajtja e teatrit.

“Ajo zonë aty është një zonë që do t’i shërbente shumë më tepër fëmijëve në qoftë se do të trajtohej me shumë kujdes, mos harrojmë që është muri rrethues i kalasë së Tiranës, zona më historike e këtij qyteti, dhe do i shërbente shumë më tepër fëmijëve në qoftë se aty do të ndërtoheshin ambiente që janë specifikisht ambiente për fëmijët dhe të mos ketë kulla ose ndërtime të tilla se unë e dëgjoj që justifikohet ka nevojë për zyra bashkia?!,” deklaroi ai në Euronews Albania.

Aktori u pyet lidhur me faktin nëse ishte politizuar apo jo kauza e teatrit kombëtar, pas përfshirjes haptazi dhe paktit të aktivistëve me Partinë Demokratike për ta mbrojtur atë.

“Unë publikisht nuk ia kam përmendur Veliajt që ka shfrytëzuar aktorë të cilët janë anëtarë të partisë socialiste për të mbledhur firma lart e poshtë. Pra, si mund të më kritikojë Veliaj për diçka të cilën ai e bën nga mëngjesi deri në darkë dhe paradoksi është që të paktën unë edhe Romiri, dhe gjithë bota është dëshmitar, nuk jemi anëtar të asnjë partie,” tha Zenelaj.

“Ne jemi disa artistë, të cilët po duam të mbrojmë një institucion i cili për ne është kult dhe duam ta ruajmë,” shtoi Gentian Zenelaj.

Aktori dha shembullin e teatrit të Durrësit si një model pozitiv që mund t’i shërbente dhe Tiranës.

“Dhe unë them që shifra, ajo 30 milionë euro që bën, është një shifër kaq e ekzagjëruar për ta ruajtur teatrin, sa është e pabesueshme dhe gallata është që fshihen të gjithë thonë, këta janë artistët të cilët nuk duan teatër të ri dhe e them këtu, po e them me zë të fortë, PO ne duam teatër të ri por duam të mos preket teatri kombëtar i cili është trashëgimia kulturore e këtij vendi. Pikë!” tha Zenelaj.

Ta ndërtojë Veliaj ku të ketë qejf, në Tiranë, në qendër, more në Shkozë, do ta ndjekim kudo, do t’i mbushim sallat me njerëz dhe të mos harrojë që ne jemi ata të cilët i bëjmë të suksesshme këto salla teatri,” shtoi ai.

Duke komentuar kushtet e teatrit kombëtar të cilësuara si të papërshtatshme, Zenelaj tha se aktorët kanë ndihmuar për ta bërë teatrit më të ngrohtë dhe të mirë.

“Unë me Romirin luanim së bashku Don Kishotin, ai Don Kishotin dhe unë Sanço Pançon dhe aktorët kanë hedhur lekët, të blihej naftë, që në qoftë se Veliaj do të vinte, të mos kishte ftohtë. Njerëzit nuk kanë pasur ftohtë. E blinim nga xhepi jonë dhe të betohem që Veliaj po të kishte ardhur nuk do ishte sëmurur dhe do ishte shëndosh si kokrra e mollës,” përfundoi Zenelaj.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?