Kandidati kryesor për të zënë vendin e Merkelit në partinë kryesore gjermane,(CDU), Friedrich Merz, shkroi në Twitter se ishte infektuar me coronavirusin COVID-19.
Merzi, i cili do t’i japë CDU-së një drejtim nga e djathta, duke ndryshuar qëndrimet liberale të Merkelit, tha se do të qëndrojë në shtëpi deri në fund të javës tjetër, pasi rezultoi pozitiv në analiza.
CDU ka shtyrë konferencën që kishte planifikuar të mbante në fund të prillit, kur partia do të përpiqej të zgjidhte udhëheqësin e ri, pasi e preferuara e Merkelit, Annegret Kramp-Karrenbauer, vendosi të tërhiqet.
Sondazhet kanë treguar deri tani se 64-vjeçari Merz, i cili është pro mbështetjes së bizneseve, është më përpara se rivali Armin Laschet, i cili ndjek parime më të ngjashme me Merkelin.
Një drejtues konservator do të kishte më shumë gjasa për t’u bërë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, por më parë duhet të marrë miratimin e partisë simotër, CSU-së, e cila do të preferonte si kancelar drejtuesin e tyre, Markus Soeder.
65-vjeçarja Angela Merkel ka drejtuar ekonominë më të fuqishme të Europës për 15 vite, dhe para disa muajsh deklaroi se nuk do të kandidonte për një mandat të pestë.
Merz ka humbur kundër Merkelit në zgjedhjet e brendshme të CDU-së në vitin 2002, dhe në vitin 2009 u largua nga parlamenti.
Qëndrimi i tij konservator, pro biznesit, tërheq bazën e CDU-së që përbëhet kryesisht nga meshkujt katolikë të Gjermanisë perëndimore, të cilët e shohin Merkelin, një protestante nga Gjermania lindore, si një anomali për partinë e tyre.