Afro 105 mijë qytetarë në diasporë janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë. Mbi 44 mijë prej tyre jetojnë në Gjermani.
Votimin do të mund ta bëjnë me postë nga 9 janari, ose në përfaqësitë diplomatike të Kosovës vetëm më 8 shkurt.
Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues, shkruan REL.
Ndërkaq, nga 9 janari e deri më 8 shkurt, mërgata ka mundur të votojë edhe përmes postës. KQZ ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës.
Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur.
Qytetarët mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë.
Nga këto votime do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.
LEXONI GJITHASHTU:
- Diaspora e Kosovës voton në ambasada, sa është pjesëmarrja deri tani
- Kosovë, sa i besojnë qytetarët premtimet e partive politike?