Kabineti gjerman ka miratuar një projektligj që i kërkon rrjeteve sociale si Facebook dhe Youtube që të raportojnë gjuhën e urrejtjes tek forcat e rendit.
Në Gjermani, kompanive të rrjeteve sociale u është kërkuar dhe më parë që të fshijnë brenda 24 orësh postet me përmbajtje fyese.
Ligji përfshin disa forma të gjuhës së urrejtjes, si propaganda e ekstremit të djathtë, portretizimet grafike të dhunës, kërcënimet për dhunë apo vrasje, apo postet që sugjerojnë përgatitjen e një sulmi terrorist.
Shpërndarja e pamjeve grafike të abuzimit seksual ndaj të miturve është gjithashtu e përfshirë në këtë projektligj.
Platformat e rrjeteve sociale që refuzojnë të bashkëpunojnë me projektligjin mund të gjobiten deri në 50 milion euro.
“Në të ardhmen, ata që bëjnë kërcënime apo përhapin urrejtje në internet do të dënohen më ashpër dhe në mënyrë më efektive”, tha ministrja e Drejtësisë Christine Lambrecht në faqen zyrtare të institucionit.
Projektligji gjithashtu zgjeron përkufizimin e gjuhës së urrejtjes për të përfshirë kërcënimet për përdhunim, dëmtim të pronës private dhe shprehja e miratimit për krime të rënda.
Krimet e motivuara nga antisemitizmi do të marrin dënime të zgjatura.
Disa politikanë lokalë në Gjermani kanë thënë së fundmi se nuk do të pranonin të kandidonin sërish pas kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes kundrejt tyre.
Në janar, zyra e deputetit gjerman Karamba Diaby u sulmua me një breshëri plumbash, duke nxitur zemëratë të gjerë publike.
Projektligji duhet ende të marrë miratimin e parlamentit gjerman, ku debati për anonimitetin në internet është mjaft i ndezur.