English

Gjobitja e shtetit shqiptar nga Strasburgu, Avokatja e Popullit: Mbi 200 persona mbahen padrejtësisht në burg

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg për të gjobitur shtetin shqiptar për shkelje të drejtave për një të burgosur me probleme të shëndetit mendor, ka zbuluar një problem shqetësues në vendin tonë.

- Advertisement -

Rasti bën fjalë për Arben Strazimirin, i arrestuar në vitin 2008 për vrasje të mbetur në tentativë. 47-vjeçari u lirua nga përgjegjësia penale për shkak të skizofrenisë,  por në vend të lirimit u dërgua në burgun e Krujës në vitin 2011, ku ndaj tij është ushtruar trajtim çnjerëzor dhe degradues.

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca duke folur për Euronews Albania në studion e Ilva Now, tha se vendimi i Strasburgut i hap rrugë dhe të dënuarve të tjerë që u janë shkelur të drejtat e njeriut.

“Nuk është vetëm çështja e gjobës, ajo nuk është aq e lartë për shkeljen e kryer, pasi kemi të bëjmë me trajtim çnjerëzor. 15 mijë euro nuk janë asgjë, pas këtij rasti mund të vijnë shumë raste të tjera, pasi ka shumë të burgosur që kanë problematika të shëndetin mendor dhe nuk mbyllen në institucione për kurimin e tyre, por mbahen në burg. Të tërë të sëmurët dërgohen në Burgun e Zaharisë. Kostoja më e madhe është se Shqipëria duhet të adresojë pa vonesë këtë problematikë”, u shpreh znj. Ballanca.

Ndërsa Drejtorja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, znj. Erida Skëndaj e cilësoi vendimin si historik, pasi i kërkohet shtetit shqiptar që të gjithë të sëmurët mendor të mos mbahen në qeli por të trajtohen në spital psikiatrik.

“Në këto 25 vite, pavarësisht parashikimit në Kodin Penal, të sëmurët mendor mbahen në burg. Është mungesë vullneti nga shtetit shqiptar. Kambanat e alarmit janë dhënë me kohë. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut është vendim historik pasi i kërkon shtetit shqiptar, që të gjithë të dënuarit të vendosen në institucion mjekësor”, deklaroi znj. Skëndaj.

Drejtorja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit tregon se, nga biseda më babain e  Arben Strazimirit ka mësuar se, i biri vijon të mbahet ende pas hekurave të qelisë në këtë burg pavarësisht këtij vendimi. Më tej, znj. Skëndaj thotë se, në një rast tjetër që Komitetit Shqiptar të Helsinkit ka dërguar në Strasburg, është kërkuar një dëmshpërblim prej 44 mijë euro. Drejtorja e KSHH thotë se, personat me masë shëndetësore, përveçse nuk duhet të mbahen në burg kanë të drejtë dhe të kërkojnë trajtim mjekësor ambulator në shtëpi.

Burgu i Zaharisë në Krujë, ku mbahet i dënuari për të cilin Gjykata e Strazburgut ka dhënë vendim, nga shteti shqiptar është deklaruar “burg në konservim”, që do të thotë se duhet të mbyllet. Por, në realitet ka ndodhur krejt e kundërta, pasi aktualisht në qelitë e tij ndodhen 100 persona më shumë se sa numri i përcaktuar. Në burgun e Zaharisë mbahen 250 persona, ku 198 prej tyre kanë masë shëndetësore pasi gjykatat kanë pushuar veprën penale ndaj tyre dhe nuk duhej të ndodheshin pas hekurave.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?