Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka pranuar kërkesën e prokurorisë për pushimin e hetimeve për 3 gjyqtarët që dhanë vendimin për Dritan Dajtin.
Pas një viti hetime, të cilat janë zgjatur dy herë, prokuroria pretendon se ka rezultuar që nuk ka asnjë provë dhe fakt për akuzat e ngritura. Për shkak të akuzave të ngritura, çështja kaloi automatikisht në SPAK dhe prokurori i posaçëm kërkoi nga Gjykata pushimin e hetimeve. Pas një seance që zgjati rreth 1 orë, Gjykata vendosi të kthejë dosjen për hetime të mëtejshme.
Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Alia, u vunë nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, pas akuzave publike se pranimi i gjykimit të shkurtuar që shpëtoi Dajtin, i dënuar për vrasjen e 4 policëve, nga burgimi përjetë, ishte aferë korruptive.
Në shkurt të 2019-ës, banesat e 3 gjyqtarëve u kontrolluan me urdhër gjykate, por nuk u gjet asgjë kompromentuese, sa i takon rastit dhe çështjes Dajti. Tre gjyqtarët i kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, pas vendimit të dhënë ndaj Dritan Dajtit doli para mediave në shkurt të 2019 dhe kërkoi menjëherë hetim për tre gjyqtarët e çështjes.
“Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjykimit të shkurtuar dhe uljen e dënimit me 25 vjet për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e katër policëve, tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale,” u shpreh ministrja Gjonaj, duke e quajtur vendimin skandal “të papranueshëm” dhe të përmasave të patolerueshme.