Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet shqyrtimi fillestar ndaj katër të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt. Një seancë e tillë ishte paraparë të mbahej më 27 janar, por u ndërpre pak pasi nisi për shkak se avokatët e dy të akuzuarve thanë se nuk kishin pranuar me kohë shkresat e lëndës.
Gjatë shqyrtimit fillestar, Prokuroria ka lexuar aktakuzën që rëndon ndaj katër të akuzuarve. Aty thuhet se Naim Murseli kishte premtuar 30.000 kompensim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë, që ajo të mos shmangte plumbin.
Duke folur për pjesën e aktakuzës ndaj Naim Murselit, prokurorja Javorka Përlinçeviq, tha se Murseli kishte bërë plan për ta vrarë Liridonën nga mllefi dhe në shenjë hakmarrjeje, pasi çifti kishte pasur “raporte të çrregulluara familjare dhe martesore”.
Prokuroria tha se më 25 qershor 2022, është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën në vlerë prej 3.000.000 kruna suedeze me qëllim që pas vdekjes së saj, Naim Murseli të përfitonte këtë sigurim.
Prokuroria tha se Naimi ia ka shpalosur planin e tij të akuzuarit Kushtrim Kokalla, për vrasjen e bashkëshortes dhe ka kërkuar nga ai që të gjejë mënyra për ta realizuar.
Më pas në këtë çështje, sipas Prokurorisë është përfshirë Granit Plava dhe të tre janë pajtuar që Plava ta kryejë vrasjen dhe Murseli do ta kompensonte me një shumë prej 30 mijë eurosh.
Ndërkaq, përfshirja e Tom Dodajt është bërë më 29 nëntor 2023, kur Murseli ka blerë një pistoletë dhe 20 fishekë nga ai, në vlerë prej 280 eurosh, armë që është përdorur për vrasjen e Liridonës.
Vrasja, tha Prokuroria është kryer në intervalin kohor nga 19:00 deri në 20:18, në vendin e dakorduar mes tre të akuzuarve, e inskenuar në atë formë me qëllim që të dukej si grabitje.
“….Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, pas çka, Naimi me fëmijët kanë dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.”, tha Prokuroria.
LEXONI GJITHASHTU:
- I transformuar totalisht, pamja e Naim Murselit 1 vit pas vrasjes së gruas
- Marrëdhëniet poligamike “vranë” Liridonën? Gazetarja: Lidhja me nipin e gruan e tij