Mbrëmjen e kësaj të premte do të konfirmohet skuadra e parë finalist e final 4, pasi luhet gjysmëfinalja mes Partizanit dhe Skënderbeut. Të dyja skuadrat kanë mbyllur përgatitjet këtë të enjte, e janë gati për tu ndeshur në Air Albania. Të kuqtë e Orges Shehit në Arenën e Demave, ndërsa ujqrit e dëborës në qytetin e Durrësit.
Tek kryeqytetasit presin një ndeshje tejet të luftuar nga të dyja ekipet.
“Mendoj ndeshja do të jetë e luftuar, e vlerësuar, pastaj sipas dinamikës nuk dihet si do shkojë. Të dyja do japin 100% e vet”, tha Orges Shehi, trajner i Partizanit.
Grupi do të jetë i plotë në sfidën ndaj korçarëve.
“Taipin e Carën, i janë bashkangjitur skuadrës. Ekipi është i plotë e i përqëndruar”, tha Shehi.
Formatin e ri të Superligës, Shehi nuk e ka cilësuar një favorizim.
“Nuk na vaforizon formati, por ta kemi si pikë orientimi për të mos humbur përqëndrimin, ne kemi dy rezultate barazimi e fitorja, por në futboll gjithçka mund të ndodhë”, tha trajneri Shehi.
Partizani-Skënderbeu luhet të premten në orën 20:00 në “Air Albania”, ndërsa 2 ditë më pas, Egnatia ndeshet me Vllazninë.