Me qindra iranianë u mblodhën në Teheran për të protestuar kundër aksionit të qeverisë që çoi në rrëzimin e avionit ukrainas që shkaktoi vdekjen e 176 personave.
Shumë prej demonstruesve kërkuan dorëheqjen e liderit suprem Ali Khamenei e madje duke brohoritur “Vdekje diktatorit!”.
Pas shumë dyshimeve Gjenerali i forcave të armatosura iraniane konfirmoi se avioni ukrainas Boeing 737 u godit aksidentalisht nga një raketë iraniane. Në një deklaratë për mediat thuhet se ishte një gabim njerëzor dhe se avioni ishte qëlluar aksidentalisht nga sistemi i mbrojtjes, teksa ishte duke kaluar në një pikë të ndjeshme ushtarake.
Edhe presidenti iranian Hasan Rouhanni reagoi për ngjarjen duke u shprehur se “Republika Islamike e Iranit, ndjen thellësisht keqardhje për këtë gabim katastrofik”.
E teksa Irani ka kërkuar falje, presidenti i Ukrainës Zelensky është shprehur se ka patur një telefonatë me presidentin Rouhanni duke theksuar se autorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe se duhet bashkëpunim juridik dhe teknik.
Ndërkohë Agjencia Europiane Ajrore i ka bërë thirrje kompanive të fluturimeve të shmangin përkohësisht udhëtimin në hapësirën ajrore të Iranit.
Shumë vende perëndimore e dënuan këtë aksion të Iranit. Prej më shumë se një jave situata në rajonin e Lindjen së Mesme dhe raportet me Teheranin janë tensionuar pas vrasjes se gjeneralit iranian Qasem Soleimani.