I dërguari për dialog i Presidentit Amerikan, Donald Trump, ambasadori Richard Grenell është kundër masës së reciprocitetit si zëvendësim I paralajmëruar nga kryeministri I Kosovës, Albin Kurti për taksën 100% ndaj mallrat serbe.
“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, ka thënë zëdhënësi i Grenell, Dick Custin për Radion Evropa e Lirë. “Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit”, ka shtuar ai.
Kosova u ka vendosur taksën prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në nëntor të vitit 2018.
Ndërsa Kurti ka deklaruar disa herë se kjo masë do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë dhe se reciprociteti do të zbatohet “në aspektin ekonomik, tregtar dhe politik”.
“E para ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën në një fjali asnjëherë. Edhe për shkaqe historike edhe për arsye aktuale. Ne konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar si zëvendësim për tarifën 100%”, është shprehur z. Kurti.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me anë të një letre publike i ka kërkuar Albin Kurtit të veprojë me maturi dhe të mos pranojë heqjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës.
“Albin, mos e lejo tregun e fitimit të mbi 400 milionë eurove për Serbinë, shtetin i cili të ka rrahur e të ka torturuar. Shtetin, që me paratë e popullit të Kosovës blen armë në Rusi. Rikonsideroje vendimin Albin”, – ka shkruar z. Haradinaj në Facebook.