Emigrantët që ndodhen te kampi në Moria, në ishullin Lesbos të Greqisë, kanë dalë në protestë kundër kushteve të këqija dhe janë përplasur me policinë.
Emigrantët hodhën gurë e sende të forta kundër policisë, të cilët u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës.
Emigrantët e Moira kanë protestuar vazhdimisht, bashkë me banorët e zonës, të cilët e duan kampin të mbyllur.
Kampi është llogaritur për 3000 persona, por momentalisht është duke mbajtur gati 20 mijë.
Protesta e sotme nisi pasi mijëra emigrantë nisën të marshojnë drejt BE-së që nga Turqia, e cila ka vendosur të mos i pengojë më.
Ishujt grekë në Egje janë duke mbajtur rreth 40 mjë emigrantë, ndërkohë që më shumë se 60 organizata jo-qeveritare i kanë bërë thirrje BE-së që të marrë masa për t’i shpërndarë nëpër bllok si dhe të përshpejtojë procedurat e azilit.
Më 1 mars, banorët e Lesbosit u organizuan dhe nuk e lejuan një varkë me emigrantë që të zbriste në një port të vogël.
Qeveria është përpjekur t’i shpërndajë emigrantët nëpër territorin grek, në mënyrë që të mbyllen kampet, por banorët vendas kanë protestuar kundër ngritjes së qendrave të reja.