Me nisjen e verës vatrat e zjarrit kanë nisur të shfaqen edhe në Greqi. Një zjarr përfshiu gjatë fundjavës periferinë bregdetare të Athinës Jugore, por fatmirësisht u vendos nën kontroll.
Ndonëse disa banesa dhe automjete pësuan dëmtime. Autoritetet greke urdhëruan të shtunën evakuimin e zonave më të rrezikuara si një masë paraprake pasi erërat e forta fuqizuan flakët dhe kërcënuan zonat e banuara.
Tymi i zi i dendur nga zjarri mund të shihej deri në Pire, rreth 20 kilometra larg. Sipas shërbimit zjarrfikës, në vendngjarje ishin 65 makina zjarrfikëse dhe 283 zjarrfikës.
Moti i nxehtë dhe i thatë, i kombinuar me erërat e forta e të shpeshta, janë ndër shkaktarët kryesorë që shteti fqinj gjatë verës përfshihet nga zjarret
Gushtin e kaluar, zjarret shkatërruan gjysmën veriore të ishullit Evia, i dyti më i madh në Greqi.
Madje në ndihmë u erdhën dhe të tjera shtete evropiane të cilat dërguan aeroplanë, helikopterë, automjete dhe qindra zjarrfikës.
Komisioni Evropian tha se më shumë se 200 zjarrfikës dhe pajisje teknike të ofruara nga vendet e BE-së do të vendosen së shpejti në Greqi për të mundësuar një reagim të shpejtë ndaj zjarreve të mëdha.
LEXONI GJITHASHTU:
- Izolohen disa nga vatrat më të rrezikshme të zjarrit në ishullin e Sazanit
- Zjarr i dendur në Ishullin e Sazanit