Greqia ka raportuar vdekjen e parë nga coronavirusi COVID-19 këtë të enjte.
Bëhet fjalë për një burrë 66-vjeçar që ishte kthyer nga një udhëtim pelegrinazhi fetar në Izral dhe Egjipt, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Ministria greke e Shëndetësisë tha se pacienti kishte pasur probleme të tjera shëndetësore, të cilat e kishin rënduar sistuatën.
Në Greqi janë konfirmuar 99 raste të prekurish me coronaviurus deri tani, ndërkohë që OBSH ka shpallur pandemi botërore.
Në të gjithtë botën numërohen rreth 110 mijë të infektuar, dhe 4300 të vdekur.
COVID-19 ka nisur të japë shenja pozitive në Kinë, ku pati origjinën. Numri i të infektuarve është ulur dhe shumë qytete u janë kthyer veprimtarive normale, por në të gjithë vendin po ruhet një gjendje alarmi.
Italia është vendi më i dytë i prekur, ku numri i të vdekurve ka arritur në shifra të frikshme, pothuajse 200 brenda 24 orëve të fundit.
Qeveria italiane e ka shpallur të gjithë vendin “zonë të kuqe” dhe policia ka nisur të kryejë arrestime për personat që nuk i binden rregullave.
Në SHBA, gjithashtu, presidenti Trump ka dhënë urdhër që të ndërpriten udhëtimet me zonën Shengen, ndërsa NBA ka pezulluar kampionatin.