Instituti i Shëndetit Publik u ka bërë apel qytetarëve, veçanërisht ata që nuk janë vaksinuar, që të marrin masa paraprake kundër gripit që po qarkullon javët e fundit.
Deri tani, çdo javë ka pasur rreth 11 mijë qytetarë që i janë drejtuar spitaleve, të prekur nga gripi AH1N1 dhe virusi B1 që po qarkullon në vend dhe në pjesën më të madhe të Europës.
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se simptomat e gripit janë temperaturë, dhimbje fyti dhe kollë. Ata thonë se qytetarët duhet t’i drejtohen mjekut të familjes nëse vënë re se kanë këto simptoma, por jo domosdoshmërisht duhet të shkojnë menjëherë në spital.
Ata që preken më së shumti janë fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna, e për këtë, duhet të kenë kujdes të shtuar me higjenën.